– Apostulli – Romakëve 13:1-10.
Çdo shpirt le t’i nënshtrohet pushteteve që janë mbi të; sepse nuk ka pushtet veç nga Perëndia; edhe pushtetet që janë, prej Perëndisë janë urdhëruar. Prandaj ai që kundërshton pushtetin, kundërshton urdhrin e Perëndisë; edhe ata që i kundërvihen, do të marrin dënim mbi veten e tyre. Sepse krerët nuk janë frikë për punët e mira, po për të ligat. Do pra të mos kesh frikë nga pushteti? Bëj të mirën, dhe do të lëvdohesh prej tij. Sepse pushtetari është shërbëtor i Perëndisë tek ty për të mirën. Po nëse bën të keqen, frikësohu; sepse ai nuk e mban më kot thikën; sepse është shërbëtor i Perëndisë, shpagimmarrës që përmbush zemërimin ndaj atij që kryen të keqen.
Prandaj është e nevojshme të ulni kryet, jo vetëm për shkak të zemërimit, po edhe prej ndërgjegjes. Sepse për këtë paguani edhe taksa, se janë shërbëtorë Perëndie, që kujdesen për këtë. Jepuni pra të gjithëve detyrimet; atij që i keni detyrim taksën, taksën; atij që i keni detyrim tatimin, tatimin; atij që i keni detyrim frikën, frikën; atij që i keni detyrim nderin, nderin.
Asnjeriu të mos i detyroheni asgjë, përveç se të doni njëri-tjetrin; sepse ai që do tjetrin, ka përmbushur ligjin. Sepse urdhërimet: “Mos shkel kurorën, mos vrit, mos vidh, mos jep dëshmi të rreme, mos lakmo”, edhe çdo urdhërim tjetër, janë përmbledhur në këtë fjalë: “Të duash të afërmin tënd si veten tënde”. Dashuria nuk i bën keq të afërmit; dashuria pra është përmbushja e ligjit.