– Ungjilli – Llukai 10:38-42, 11:27-28.
Edhe ndodhi që kur ata po shkonin, ai hyri në një fshat; dhe një grua që e kishte emrin Marta, e priti atë në shtëpinë e saj. Edhe ajo kishte një motër që quhej Maria, e cila ndenji pranë këmbëve të Jisuit dhe dëgjonte fjalën e tij.
Edhe Marta mundohej shumë duke shërbyer; dhe pastaj erdhi përpara tij, e tha: Zot, A nuk do të dish se ime motër më la vetëm të shërbej? Thuaji pra asaj të më ndihmojë. Edhe Jisui u përgjigj e i tha asaj: Marta, Marta, përpiqesh e mundohesh për shumë punë. Po për një është nevoja, dhe Maria zgjodhi pjesën e mirë, e cila nuk do të merret prej saj.
Edhe ndodhi që kur ai po thoshte këto, një grua prej turmës ngriti zërin e i tha: Lum barku që të ka mbajtur, dhe gjinjtë që ke thithur. Po ky tha: Lum më tepër ata që dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e ruajnë.