– Profeti Mikea –
Lindi në qytezën Moresheth Gadh, në jugperëndim të Jerusalemit dhe afër Mesdheut. Pra, mbiquhet Moreshethit, që të dallohet nga profeti më i vjetër me të njëjtin emër në III të Mbretërve (sipas një emërtimi tjetër I) 22:5…. me të cilin e ngatërrojnë Sinaksarët.
Profeti shumë i shquar, i treti nga Dymbëdhjetë profetët e “vegjël” të Dhiatës së Vjetër, u paraqit në librin e tij: Ndriçoi “në ditët e Joathamit, Ahazit dhe Ezekias” (1:1), të cilët mbretëruan në shtetin jugor (“të Judës”) në vitet 740-689 para Krishtit. Profetizoi të paktën midis viteve 737 dhe 715. Pra, ishte bashkëkohës i profetit Isaia (9 maj), i cili ndoshta influencoi tek ai. Për sa i përket ideve, ngjan edhe me të dy profetët e mëparshëm, Osea (17 tetor) dhe Amos (15 korrik).
Vepra e tij, e ndarë në tri pjesë (kap. 1-3, 4-5, 6-7), i referohet me bukuri letrare dhe skena dramatike edhe mbretërisë veriore, edhe mbretërisë jugore të hebrenjve. Kritikon padrejtësitë shoqërore, përjeton keq ateizmin, korrupsionin dhe mëkatet e tjera të tyre, parathotë dënimin, por edhe ngushëllon duke paralajmëruar shpëtimin që do të sjellë Mesia.
Thelbi i fesë, sipas Mikeas, është që të jetë njeri i drejtë, “të dojë mëshirën dhe të jetë i gatshëm të ecë bashkë me Zotin, Perëndi” (6:8). Shumë e rëndësishme është në 5:1-3 përcaktimi i Bethlehemit si vendlindja e Krishtit (shih: Mt. 2:6). Gjithashtu radikale është profecia e tij se do të anashkalohet Ligji që u dha në Malin Sina. Kjo do të bëhet sepse do të dalë “ligji dhe fjala e Zotit nga Jerusalemi”, me një karakter mbarëbotëror, pra Sioni (Jerusalemi) do të bëhet pelegrinazh i gjithë kombeve (4:1-2).
Mikea (hebraisht do të thotë: “kush është si Perëndia?”) referohet edhe te Jeremia 33:18-19.
* * * * *
– Hierodëshmor Markeli i Apamisë –
Markeli rridhte nga një familje e krishterë nga Qiproja dhe ishte administrator civil. Për shkak të shpresëtarië së thellë u zgjodh episkop i Apamisë, metropolit të Sirisë së dytë, pas fjetjes së episkop Joanit të lumur, i cili mbrojti besimin në Sinodin e Konstandinopojës (381).
Para së gjithash, shqetësohej për mbarëvajtjen shpirtërore të grigjës së tij dhe vigjilonte për të mos e lejuar të devijonte në mbetjet e idhujtarisë. Në atë kohë, perandori Theodhos dekretoi që të gjithë tempujt paganë të perandorisë duhet të shkatërroheshin. Episkopi i shenjtë, i shtyrë nga zelli hyjnor, shkatërroi shumë tempuj idhujtarë dhe i zëvendësoi me kisha, për lavdi të Perëndisë së vetëm.
Kur prefekti i Lindjes, i shoqëruar nga një ushtri e madhe, shkoi në tempullin e famshëm të Jupiterit, nuk arriti dot shkatërronte. Demoni që banonte atje nuk largohej as me zjarr dhe as me ndonjë mënyrë tjetër. Pas shumë përpjekjeve, Markeli shkoi dhe i dyfishoi lutjet. Më pas hodhi ujë të bekuar mbi kolonat e tempullit, që u ndezën sikur të ishte zjarr, derisa kolona kryesore u rrëzua, duke marrë me vete edhe pjesën tjetër të tempullit. Kjo fitore bëri që shumë njerëz të ktheheshin në besimin e krishterë.
Shenjtori e vazhdoi veprën ungjillëzuese edhe në pjesën tjetër të dioqezës së tij, me gjithë kundërshtinë e egër të idhujtarëve, të cilët thirrën në ndihmë paganë të ardhur nga Galileja e Libani. Kur shkoi në Avlona, për të shkatërruar tempullin e atjeshëm, ngaqë ishte i sëmurë, Markeli qëndroi pak më larg dhe i la punëtorët të vepronin. Por, aty e njohën disa paganë, të cilët u sulën kundër tij dhe e hodhën në një furrë të ndezur, ku shenjtori dorëzoi shpirtin te Perëndia.