– Apostulli – Veprat e Apostujve 1:12-17, 21-26.

 

Atëherë u kthyen në Jerusalem nga mali që quhet i Ullishtes, i cili është afër Jerusalemit, dhe mban larg sa një rrugë të shtune. Edhe kur hynë, u ngjitën në dhomën e sipërme, ku po rrinin edhe Pjetri dhe Jakovi dhe Joani dhe Andrea, Filipi dhe Thomai, Vartholomeu dhe Matheu, Jakovi i biri i Alfeut dhe Simon Zeloti, edhe Juda, i vëllai i Jakovit. Këta të gjithë vazhdonin me ngulm me një mendje në falje e në lutje, bashkë me gratë, edhe me Marinë, të ëmën e Jisuit, edhe bashkë me të vëllezërit e tij.

Edhe në këto ditë si u ngrit Pjetri në mes të nxënësve, edhe turma e të mbledhurve atje ishin rreth njëqind e njëzet veta, edhe tha: O burra vëllezër, duhej të përmbushej ky shkrim, të cilin e paratha Fryma e Shenjtë me anë të Davidit për Judën që u bë udhërrëfyes i atyre që zunë Jisuin, sepse qe i numëruar bashkë me ne dhe pati marrë pjesën e kësaj shërbese.

Pra nga burrat që na shoqëruan ne gjithë kohën, në të cilën Zoti Jisu hyri e doli tek ne, duke nisur që nga pagëzimi i Joanit e deri në atë ditë në të cilën u mor lart prej nesh, një nga këta duhet të bëhet dëshmitar bashkë me ne për ngjalljen e tij.

Edhe paraqitën dy veta, Josifin që quhej Barsaba, i cili u mbiquajt Just, edhe Matian. Edhe ata duke u lutur thanë: Ti, o Zot, zemërnjohës i të gjithëve, trego një nga këta të dy, atë që ke zgjedhur, që të marrë pjesën e kësaj shërbese e apostolie, prej së cilës u largua Juda, që të shkojë në vendin e tij. Edhe u dhanë atyre shorte; edhe shorti i ra Matias, edhe u numërua bashkë me të njëmbëdhjetë apostujt.