– Ungjilli – Mateu 13:44-54.
Përsëri, mbretëria e qiejve ngjan me një thesar të fshehur në arë, të cilin kur e gjeti një njeri e fshehu; edhe nga gëzimi i tij shkon e shet gjithë sa ka, edhe blen atë arë.
Përsëri, mbretëria e qiejve ngjan me një njeri tregtar, që kërkonte margaritarë të mirë, i cili kur gjeti një margaritar të çmuar shkoi e shiti gjithë sa kishte, edhe e bleu atë.
Përsëri, mbretëria e qiejve është e ngjashme me një rrjetë që u hodh në det edhe mblodhi çdo lloj gjëje. Edhe si u mbush, e nxorën atë në buzë të detit, edhe ndenjën e mblodhën të mirat në enë, edhe të këqijat i hodhën jashtë.
Kështu do të jetë në mbarim të jetës. Do të dalin engjëjt e do të ndajnë të ligjtë nga të drejtët, edhe do t’i hedhin ata në furrën e zjarrit; atje do të jetë të qarët dhe kërcëllitja e dhëmbëve.
U thotë atyre Jisui: A i kuptuat këto të gjitha? I thonë atij: Po, Zot. Edhe ai u tha atyre: Prandaj çdo shkrues i mësuar për mbretërinë e qiejve është i ngjashëm me një njeri zot shtëpie, që nxjerr nga thesari i tij gjëra të reja dhe të vjetra. Edhe ndodhi që kur Jisui, mbaroi këto paravolira, iku andej.
Edhe si erdhi në dhe të tij, i mësonte ata në sinagogën e tyre, kaq sa ata çuditeshin e thoshin: Nga e ka ky këtë urtësi dhe këto fuqi?