32 vjet nga Fronëzimi i Kryepiskopit Anastas, si Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë.
Sot ditën e Premte më 2 gusht 2024, mbushen plot 32 vjet nga Fronëzimi i Kryepiskopit të parë pas shpalljes së lirisë së besimit dhe nisja e një periudhe të re ringritjeje nga gërmadhat të Kishës sonë martire.
Fronëzimi i Kryepiskopit u krye, pas një sërë negociatash me autoritetet shqiptare kompetente, në Kishën Katedrale “Ungjillëzimi i Hyjlindëses” në Tiranë, më 2 gusht 1992, në prani të të gjithë klerikëve (të mbijetuar nga persekutimi i egër komunist), si edhe laikëve nga të gjitha dioqezat e Shqipërisë.
Ky çast shënoi ripërtëritjen e Autoqefalisë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të vënë në diskutim nga shkatërrimi total që bëri regjimi komunist. Kjo ngjarje ishte shpallje e lajmit të mirë se Kisha e Shqipërisë jetonte dhe askush nuk do të mundte më t’i ndalonte veprën shpirtërore të ndriçuar nga Perëndia në dobi të gjithë shoqërisë shqiptare.
Viti 1992 gjeti një Komunitet Orthodhoks me pak kisha që i kishin shpëtuar shkatërrimit, pa objekte administrative, pa klerikë dhe me besimtarë të mbajtur me dhunë larg Kishës dhe të edukuar që të mohonin Perëndinë.
Që nga ajo kohë, Kryepiskopi e nisi punën pikërisht atje ku kishte ndalur, te formimi i klerit dhe ringritja e kishave, për ta shtrirë gjithmonë e më tepër edhe në shumë fusha të tjera, sociale, arsimore, edukative, kulturore etj. Ishte pikërisht kjo këmbëngulje, përkushtim dhe aftësi e rrallë, që tërhoqi besimin, vlerësimin dhe dashurinë e besimtarëve orthodhoksë, që e vlerësuan si personin më të përshtatshëm për ta vazhduar edhe më tej këtë vepër.
Kisha ka tashmë në krye një Kryebari të shquar, i cili jo vetëm e rilindi dhe e ringriti nga hiri i ateizmit, por edhe bëri të barabartë dhe të njohur në botë në të gjitha Kishat motra Orthodhokse e më gjerë.
Kështu dhe sot si falenderim drejtuar Perëndisë në kishën e ‘Ungjillëzimit të Perëndilindëses Mari’ në Tiranë, u krye Liturgji Hyjnore panegjerike me pjesëmarrjen e Fortlumturisë së Tij Prof. Dr. Anastasit, Mitropoliti i Korçës Hirësi Joani, Mitropoliti i Fierit Hirësi Nikolla, Mitropoliti i Amantias Hirësi Nathanaeli, Episkop Asti dhe i pranishëm në Kishë ishte edhe Mitropoliti i Elbasanit Hirësi Andoni si edhe klerikë nga Kryepiskopata e hirshme.
Në këtë ditë u dorëzua në gradën priftërore kryedhjakon Spiro Topanxha në përgjegjësinë e Protopresbiterit.