– Apostulli – 1 Korinthianëve 2:9-3:8.
Por siç është shkruar: “Ato që sy s’i pa, e vesh s’i dëgjoi, e në zemër njeriu nuk u ngritën, këto Perëndia i bëri gati për ata që e duan atë”. Po Perëndia na i zbuloi me anë të Frymës të tij; sepse Fryma i vëzhgon të gjitha, edhe thellësitë e Perëndisë. Sepse cili prej njerëzve i njeh punët e njeriut, përveçse fryma e njeriut që është në të? Kështu edhe punët e Perëndisë asnjë s’i njeh, përveçse Fryma e Perëndisë.
Edhe ne s’kemi marrë frymën e botës, po Frymën që është nga Perëndia, që të njohim ato që na janë dhuruar nga Perëndia. Për këto edhe flasim, jo me fjalë të mësuara prej diturisë njerëzore, po të mësuara prej Frymës së Shenjtë, duke krahasuar shpirtërorët me punë shpirtërore. Po njeriu gjallësor nuk i pranon punët e Frymës së Perëndisë; sepse janë marrëzi për të, edhe nuk mund t’i njohë ato; sepse ato gjykohen shpirtërisht. Po njeriu shpirtëror i gjykon të gjitha dhe vetë nuk gjykohet prej askujt. Sepse cili e njohu mendjen e Zotit, që ta mësojë atë? Po ne kemi mendje Krishti.
Edhe unë, o vëllezër, nuk munda t’ju flas si njerëzve shpirtërorë, por si njerëzve mishorë, si foshnjeve në Krishtin. Me qumësht ju ushqeva ju, e jo me ushqim të fortë, sepse ende nuk mundeshit, po as edhe tani nuk mundeni, sepse jeni ende mishorë; sepse deri sa ka ndër ju smirë dhe grindje e përçarje, a nuk jeni mishorë dhe ecni sipas njeriut? Sepse kur thotë njëri: Unë jam i Pavlit; edhe tjetri: Unë jam i Apolloit, a nuk jeni mishorë?
Cili pra është Pavli, e cili Apolloi, përveç se shërbëtorë, me anë të të cilëve besuat, edhe secili, siç ia dha Zoti? Unë mbolla, Apolloi ujiti, po Perëndia rriti. Kështu pra as ai që mbjell nuk është gjë, as ai që ujit, po Perëndia që rrit. Edhe ai që mbjell edhe ai që ujit janë një; edhe gjithësecili do të marrë pagën e tij sipas mundit të tij.