Evdhokimi i Drejtë.
Ky i lumur jetoi nën sundimin e perandorit Theofil ikonomaku (829-842). Prindërit e tij, Vasili dhe Evdhokia ishin patricë me origjinë nga Kapadokia. Ishin besimtarë shpresëtarë dhe besimin ia transmetuan edhe të birit. Kishte marrë edukim të stërholluar, dhe Evdhokimit i atribuuan nga perandori detyrën e kandidatos dhe të stratopedarkut, d.m.th. të qeveritarit ushtarak të Kapadokisë, dhe pastaj të të gjithë Perandorisë. Por nuk i shfrytëzoi këto për kënaqësinë dhe lavdinë e tij, por për virtytin, në mes të zhurmës së botës, duke shkëlqyer si zambak mes gjembave dhe si ari në furrën e zjarrtë.
Duke ruajtur pastërtinë e trupit por dhe të mendimeve, nuk e la kurrë shikimin të prehej në fytyrën e ndonjë gruaje, dhe fitoi kështu dëlirësinë e nevojshme për të dalë i pastër para Perëndisë. Këtij virtyti i shtoi edhe frytet e dashurisë e të përdëllimit me të varfrit, vejushat dhe jetimët, duke u bërë enë e zgjedhur e Hirit dhe ikonë e gjallë e virtytit. Askush s’mund t’ia kalonte në dashurinë që kishte për të afërmin, iu largohej thashethemeve si murtajës, dhe ruhej që të mos bënte asnjë gjykim për tjetrin; gjente mënyrën t’i pengonte të tjerët të plagosnin të afërmin. Mësonte se çdonjëri duhet të mësojë të dëgjojë sesa të flasë, dhe pa shumë fjalë vinte në praktikë porositë e Perëndisë.
Në moshën tridhjetë vjeçare u sëmur rëndë dhe përgatiti të afërmit e tij, iu lut Perëndisë dhe i kërkoi që të mos lavdërohej pas vdekjes. Edhe pse kërkoi këtë gjë, llamba nuk mund të mbetej e fshehur nën shinik, dhe sapo e vunë në varr, me veshjet dhe këpucët e tij, një i demonizuar u çlirua dhe një fëmijë paralitik u shërua. Mrekullitë u shtuan në varrin e tij, veçanërisht, me vajin e kandilit që digjej pa pushim, por edhe me dheun e varrit të tij që u dërgohej të sëmurëve për plagët e tyre.
Tetëmbëdhjetë muaj pas fjetjes së lumur, me kërkesën e së ëmës, dhe trupi i tij u gjet plotësisht i paprishur dhe lëshonte erë të mirë. Më pas, lipsani i tij i çmuar u transferua në Konstandinopojë dhe u vendos në kishën e Hyjlindëses, që prindërit e shenjtit kishin ndërtuar.
* * * * *
Josif Arimatheasi.
Kishte një pozitë të lartë shoqërore dhe i përkiste asaj kategorie njerëzish të cilët prisnin me shpresë të fshehur mbretërinë e Perëndisë. Lidhur me këtë ungjillori Joan shkruan: “Josifi nga Arimathea ishte dishepull i Jisuit. Fshehtas, nga frika e judenjve, i kërkoi Pilatit të merrte trupin e Jisuit”.
Në momentin kur nxënësit të dëshpëruar nga kryqëzimi i mësonjësit të tyre ishin mbyllur brenda në shtëpi, Josifi guxoi dhe i kërkoi Pilatit që të merrte trupin e Krishtit. Brenda tij u zgjua dëshira për t’i bërë nderet më të mëdha Mësuesit të tij, të Cilit nuk kishte guximin t’i shërbente kur Ai ishte gjallë. Kryqi, në vend që ta frikësonte, e armatosi me guxim.
Sot pas 20 shekujsh është e vështirë të kuptojmë se çfarë guximi nevojitej për të marrë parasysh pasojat që kishte ky veprim. Josifi nga Arimathea e dinte se sa e rëndë mund të ishte për të akuza e një të dënuari dhe se ndoshta do ta paguante me jetën e tij këtë guxim.
Megjithatë ai mbeti në histori për guximin që pati për marrjen e trupit të Jisuit. Që nga ajo kohë e gjer më sot një guxim i tillë u shkrua dhe vazhdon të shkruhet në faqet më të bukura të historisë mbarënjerëzore.