Oshënare Dëshmore Parashqevia (E Premtja).
Prindërit e saj të krishterë, Agathoni dhe Politia, jetonin në periferi të Romës në kohën e Adrianit (117-138). Duke qenë pa fëmijë më parë, e pritën si shpërblim të lutjeve të tyre dhe i dhanë emrin Parashqevi, sepse lindi të premten (Parashqevi do të thotë: përgatitje). E edukuan me dashuri për Zotin. Vajza e virtytshme, e mençur dhe e bukur studionte Shkrimin e Shenjtë dhe frekuentonte shërbesat, derisa mbeti jetime. Atëherë pasurinë e saj ua dha të varfërve dhe vetë u rreshtua në një vëllazëri (murgeshash).
Më vonë, me bekimin e igumenes, doli në Romë dhe në krahinën e saj dhe predikonte Krishtin me sukses. Çifutët e patën zili dhe e paditën. Kështu u kap në kohën e Antoninit Piu (138 – 161). As me të butë dhe as egërsisht nuk mundën ta konvertonin dhe e torturuan: i veshën në kokë përkrenaren e skuqur, e varën nga flokët dhe e dogjën me llambadhe, e futën në zift dhe vaj të nxehtë, e ekspozuan në një gjarpër të tmerrshëm, e kamxhikuan dhe e shtypën me një pllakë të rëndë në gjoks. Shumë herë virgjëresha nuk pësonte asgjë.
Një herë tjetër iu shfaq në burg një engjëll, madje edhe vetë Krishti, i Cili e lumëroi dhe e shëroi. Meqenëse ajo mbetej e pacenuar brenda vajit të përvëluar, pushtetari kërkoi që ta spërkaste, për të vërtetuar nëse ishte i nxehtë ose jo. Kur u spërkat, ai u verbua nga djegia. Iu lut oshënares i penduar dhe ajo e shëroi ndoshta për këtë arsye ne kërkojmë ndërmjetimin e saj si mjeke okuliste.
Një herë tjetër, duke bërë shenjën e kryqit, bëri që të përplasej një gjarpër i frikshëm dhe një mrekulli e fundit e saj bëri që të bien dhe të copëtohen idhujt e një tempulli. Pas këtyre besoi një shumicë njerëzish. Kështu, për t’i dhënë fund mrekullive të saj, u detyruan t’i prisnin kokën.
Shenjtorja mjaft popullore nderohet edhe si mbrojtëse nga kolera dhe flama. Më 14.10.1442 një stuhi e tmerrshme do ta kishte përmbytur ishullin Hios, nëse ajo nuk do të ndërmjetonte në mënyrë efikase, siç e ëndërroi një hieromonak pasi u lut në një kishë të saj.