Fjetja e Shën Anës.
Edhe Anën (hebraisht do të thotë hir) edhe Joakimin (hebraisht do të thotë Perëndia nxit), prindërit e Perëndilindëses Mari, nuk i gjejmë në Ungjill, por në apokrifet dhe sidomos në Protoevangjelin e Jakovit (mesi i shek. të 2-të). Ky ruan një traditë shumë të vjetër, autentike, të paktën për sa i përket bazës së saj.
Kështu, Kisha, edhe pse i hodhi poshtë apokrifet, pranoi disa rreth gjenealogjisë dhe rinisë së të Tërëshenjtës Mari, kështu që ato ndikuan në liturgjikë, himnologji dhe ikonografi. Veç kësaj, nga apokrifet merr material edhe Shkrimi i Shenjtë (p.sh. Jud. 9).
Pra, çifti shpresëtar dhe i pasur, sipas të gjitha gjasave, nga Jerusalemi, pasardhës të mbretit David (e diela pas Lindjes së Krishtit), edhe pse sterilë dhe të moshuar, vajtonin dhe luteshin që t’iu hiqej turpi i mosbërjes fëmijë.
Atëherë mungesa e fëmijës konsiderohej si turp, për disa arsye të caktuara. Ana premtoi se do t’ia kushtonte Perëndisë fëmijën e famshëm që do të lindte, siç e lajmëroi engjëlli. Ajo lutej në kopsht, ai në mal. Dhe me të vërtetë, ajo mbeti shtatzënë (9 dhjetor) dhe lindi Marinë (8 shtator).
Në moshën trevjeçare, prindërit ia besojnë kryepriftit Zaharia, i cili e fut në të Shenjtat e të Shenjtëve të Tempullit të Jerusalemit (21 nëntor). Ajo qëndron aty nën mbikëqyrjen e priftërinjve për 9 (ose 12) vjet, duke u ushqyer nga engjëlli, derisa i dorëzohet Josifit (e diela pas Lindjes së Krishtit), i cili ishte i ve.
Ai thuhet se është i biri i vëllait të Anës, si Saloma (3 gusht) dhe Elisabeta (24 qershor), të cilat thuhet se janë bijat e motrave e saj. Pra, ato ishin kushërira të para të Marisë dhe, rrjedhimisht, Pararendësi (7 janar) ishte kushëri i dytë me Krishtin.
Mirëbërësja Ana fjeti në moshën 69-vjeçare, ndërsa Joakimi në moshën 80-vjeçare. Kështu Virgjëresha mbeti jetime në moshën 11-vjeçare.
Më 9 shtator, ditën e nesërme të lindjes së saj, bëhet mbledhje për nder të prindërve të saj, ndërsa, sipas shumë dëshmive, kremtohet sot fjetja e të dy prindërve të Nënës së Perëndisë.
Së fundi, në skitin e famshëm të Nënës së të Tërëshenjtës në Malin e Shenjtë ruhet këmba e saj e majtë, që bën mrekullira.
* * * * *
Oshënare Olimbia.
Olimbia e lumur lindi në Konstandinopojë mes viteve 361 e 368 në një familje të aristokracisë së lartë. Babai i saj, Konti Selefkos, dhe e ëma ndërruan jetë kur ajo ishte ende fëmijë, dhe ia besuan një të afërmi, Prokopit, guvernatorit të Konstandinopojës, i cili edukimin e vajzës ia besoi Theodhosisë, motrës së shën Amfilokut të Ikoniumit (23 nëntor).
Nëpërmjet saj, Olimbia pati lidhje miqësie e familjare me shën Grigor Teologun, shën Grigorin e Nisës e të tjerë njerëz të ndritshëm të Kishës. Si u rrit, shkëlqeu si me bukurinë trupore, ashtu edhe në urtësi e mëshirë.
Më 386 u martua me Nebridin, prefektin e Konstandinopojës i cili vdiq shumë shpejt pa pasur marrëdhënie me të. Atëherë vendosi t’i kushtohej Perëndisë si vejushë dhe virgjëreshë dhe dha gjithçka që kishte për Kishën. Refuzoi të rimartohej me Elpidin, një të afërm të perandorit Theodhos. Shteti i konfiskoi pasuritë, por kur u kthye nga fushata kundër Maksimit më 388, perandori admiroi zellin për asketizmin e virtytin dhe ia ktheu të mirat, të cilat shenjtorja i bëri lëmoshë. Shiti pronat që kishte në Thrakë, Galati, Kapadhoqi e në Bitini si dhe ndërtesat madhështore të Konstandinopojës që të ndërtonte streha për udhëtarët, spitale, kisha dhe një manastir, i cili kishte më shumë se 50 murgesha: fillimisht shërbëtoret e saj, të afërmet si dhe më pas erdhën edhe gra të shoqërisë së lartë.
U vesh me rroba të varfra, kishte tashmë trup të dobët e të lehtë nga agripnitë e lutjet si dhe zemër të qetë e të pastruar nga çdo kureshtje të botës. Ishte ikona e virtytit për të gjitha motrat. Me gjithë sprovat që pati, kurrë nuk doli nga goja e saj një fjalë qortimi, dashuria që kishte shtrihej tek të gjithë: të denjë e të padenjë. Gjithë kohën e kaloi në soditjen me lot e pendim. Virtyti i saj u njoh nga të gjithë, saqë në moshën 30-vjeçare patriku shën Nektar (11 nëntor) e dorëzoi dhjakoneshë e u bë këshilltare e tij për çështje kishtare.
Kur shën Joan Gojarti pasoi fronin pas shën Nektarit, Olimbia nuk gjeti tek ai vetëm atin shpirtëror që ajo dëshironte, por autoritetin për interpretimin e Shkrimit, bariun që kujdesej për gjithë Kishën më shumë se për trupin, një mik si në ditë të paqta ashtu edhe në turbullimet për shkak të së vërtetës dhe drejtësisë. U vu në shërbim të tij me zell. I vetmi person i gjinisë mashkullore që u pranua brenda manastirit të Olimbias ishte episkopi i shenjtë, i cili i mësonte murgeshat dhe disa prej tyre i dorëzoi në dhjakonesha.
Pasi u akuzua nga prefekti i Optatit se kishte provokuar një zjarr që kishte shkatërruar pallatin pritës, u dënua me një gjobë. Atëherë u tërhoq në Sitikë dhe pas një tjetër paraqitjeje para prefektit u dërgua në mërgim në Nikomedi, ku shën Joan Gojarti i shkroi 17 letra ngushëllimi për ta inkurajuar të duronte provën e padrejtësisë me besim e durim. Falë tyre Olimbia përparoi në durim e përulësi. Pasi u dha në shumë beteja të vështira për Kishën, pasi mësoi shumë gra në rrugën e virtytit, pasi shërbeu për episkopët e shenjtë, ia dorëzoi shpirtin e saj Perëndisë në Nikomedi më 25 korrik 408 duke fituar kurorën e pohuesve (rrëfyesve, konfesorëve, omologjetëve) të besës.
Sipas dëshirës së saj, trupin ia mbyllën në një arkivol dhe e lëshuan në det. Pasi arriti afër manastirit të shën Thomait në Broktua, në gjirin aziatik të Bosforit, një engjëll lajmëroi igumenin dhe ai e mori trupin e saj dhe e vendosi në shenjtërore, ku kryen shumë mrekulli. Manastiri i shenjtores në Konstandipojë, i shkatërruar gjatë revoltës së Nikitas më 532, u rindërtua nga Justiniani dhe lipsanet e saj u transferuan atje në fillim të shekullit VII gjatë një invazioni pers.