Varroset Me Nderime E Psalme Mitropoliti I Beratit, Imzot Ignati (23.07.2024)

 

Mes hidhërimit por dhe shpresës së ngjalljes, qindra besimtarë, klerikë e hierarkë përcollën Mitropolitin e Beratit, Vlorës dhe Kaninës sot, më 23 korrik 2024, në vendin e tij të prehjes.

Pas 26 vitesh shërbim kryepriftëror në Mitropolinë e Beratit, i përkushtuar plotësisht Krishtit dhe grigjës që i besoi Perëndia, Hirësi Ignati ndërroi jetë më 20 korrik 2024, në një spital në Athinë. Të nesërmen, më 21 korrik u krye Shërbesa e Përshpirtjes në kishën Metropolitane të Fjetjes së Hyjlindëses Mari në Thivë (vendlindja e Hirësisë dhe vendi ku u dorëzua dhe shërbeu si prift për disa vite). Shërbesa u drejtua nga Kryepiskopi i Athinës, Jeronimi. Nga Kisha jonë morën pjesë Mitropoliti Nathanail, Arkimandriti Anastas dhe dhjakon Leonidha.

Të nesërmen, më 22 korrik, trupi i tij mbërriti në Berat, ku u prit me procesion solemn nga besimtarë dhe klerikë të shumtë, në Katedralen e Shën Dhimitrit. Brenda atmosferës lutësore që vijoi përgjatë natës, sot u krye Shërbesa e Varrimit të Mitropolitit. Ajo u kryesua nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Imz. Anastasi, me pjesëmarrjen e anëtarëve të Sinodit të Shenjtë: Mitropolitit të Korçës, Joanit; të Gjitokastrës, Dhimitrit; të Apollonisë dhe Fierit, Nikollës; të Elbasanit, Andonit; të Amantias, Nathanailit dhe Episkopit të Bylisit, Astit. Morën pjesë dhe klerikë të shumtë nga i gjithë vendi, krerë të pushtetit lokal: Ministër z. Bledi Çuçi, Kryetari i Bashkisë së Beratit, z.Ervin Demo etj; përfaqësues të komuniteteve fetare në Berat dhe qindra besimtarë.

Në fjalën e tij në fund të shërbesës, Kryepiskopi Anastas theksoi: “Që në vitet e hershme të jetës së tij, Mitropoliti Ignat iu përkushtua Perëndisë. Punoi me zell, përkushtim e vetëmohim. Ndaj lutja ime e zjarrtë është që gjithnjë të jemi gati të shërbejmë si klerikë. Vendi ynë ka nevojë për shumë gjëra, por mbi të gjitha për klerikë të shenjtëruar, që do të punojnë me shumë zemër, dhimbje e zjarr për popullin tonë”.

Mitropoliti i Korçës, Joani, në fjalën e tij përshëndetëse, pasi përmblodhi gjithë etapat e shërbimit mbi gjysmëshekullor të Hirësi Ignatit, që nga hirotonisja e tij më 1967, shtoi: “…shërbeu me përulësi dhe në mënyrë paqësore, gjatë gjithë viteve të jetës së tij, si atë i dashur e zemërdhembshur dhe si bari i urtë me grigjën dhe bijtë e tij shpirtërorë, duke i mësuar ata të jetojnë sipas mësimeve të Ungjillit dhe Etërve të Shenjtë të Kishës sonë. Në vitet e fundit, megjithëse i sëmurë, e përballoi këtë kryq me paqe, pa u ankuar, dhe me besim të patundur te Perëndia. Me këtë rast falënderoj dhe të gjithë sa i ndenjën pranë e i shërbyen, si shenjë e devotshmërisë ndaj bariut të tyre.”

Mitropoliti Ignat u varros me nderime e psalme në vendin e përgatitur për të në oborrin e Katedrales së Shën Dhimitrit, ku besimtarët ndër breza do të mund të luten dhe ta kujtojnë hierarkun e tyre. I lutemi Perëndisë ta prehë shpirtin e tij me të drejtët! I përjetshëm kujtimi!