– Ungjilli – Mateu 12:38-45.
Atëherë u përgjigjën disa nga shkruesit e nga Farisenjtë, duke thënë: Mësues, duam të shohim shenjë prej teje. Edhe ai u përgjigj, e u tha atyre: Brez i lig dhe kurorëshkelës lyp shenjë; dhe shenjë nuk do t’i jepet atij, përveç shenjës së profetit Jona.
Sepse siç ishte Jonai në bark të peshkut të madh tri ditë e tri net, kështu do të jetë edhe Biri i njeriut në zemër të dheut tri ditë e tri net. Burra Ninevitë do të ngjallen në gjykimin bashkë me këtë brez edhe do ta dënojnë; sepse u penduan në predikimin e Jonait; edhe ja këtu tek është më tepër se Jona.
Mbretëresha e Jugut do të ngjallet bashkë me këtë brez në gjykimin, edhe do ta dënojë atë; sepse erdhi nga anët e dheut, që të dëgjojë urtësinë e Solomonit; dhe ja këtu tek është më tepër se Solomoni.
Edhe fryma e ndyrë kur del nga njeriu shkon nëpër vende pa ujë, duke kërkuar prehje dhe nuk gjen.
Atëherë thotë: Do të kthehem në shtëpinë time, andej nga dola. Edhe si vjen, e gjen të zbrazët, të fshirë e të stolisur. Atëherë shkon e merr me vete shtatë frymë të tjera më të liga se veten, edhe si hyjnë, banojnë atje; edhe të pastajmet e atij njeriu bëhen më të këqija se të parat. Kështu do të jetë me këtë brez të lig.