Profeti Ezekiel.
Profeti i shenjtë Ezekiel, emri i të cilit do të thotë “Perëndi i fortë” (ose Perëndia do të forcojë”), ishte prift i Tempullit. Kur Jerusalemi u mor për herë të parë nga Nabukodonosori (597), profeti ishte 25 vjeç dhe u mor rob në Babiloni, me mbretin Jekonia, oborrin e tij dhe njerëzit e ngritur, rreth dhjetë mijë persona, si dhe sende të çmuara të Tempullit (IV Mbret. 24.16). U vendos në Tel-Aviv, mori grua, dhe shtëpia e tij u bë magnet për judenjtë e internuar, që shkonin për të dëgjuar Fjalën e Perëndisë.
Vitin e pestë të internimit, ndërsa ndodhej në brigjet e lumit, qiejt u hapën dhe soditi në një vizion madhështor, lavdinë e Perëndisë, mbi një qere të tërhequr nga katër keruvime me krahë, me katër fytyra: e para ishte si luan, e dyta si shqiponjë, e treta si dem dhe e katërta si njeri. Dy nga krahët e tyre ishin shpalosur lart dhe dy të tjerë i mbulonin trupin. Secili shkonte drejt, pa u kthyer, atje ku Shpirti i shtynte, dhe bënin zhurmë stuhie duke ecur. Në mes tyre shkëlqente një dritë e shndritshme si vetëtimë dhe zjarr. Nën fytyrat shikoheshin katër rrota që ecnin me ta; mbi ta shtrihej si kupolë kristali, mbi të cilën gjendej një fron me pamje si gur safiri, dhe mbi fron ishte ulur një qenie me pamje njeriu, që kishte shkëlqimin e rubinit, rrethuar nga një dritë që i ngjante ylberit.
Perëndia i foli Ezekielit dhe e dërgoi te izraelitët rebelë (kap. 1). Një dorë i dha një libër të mbështjellë, ku ishte shkruar: “Vajtime, psherëtima dhe lot.” Atij iu desh ta hante këtë libër, dhe në gojën e tij fjala e Perëndisë u bë e ëmbël si mjalti.
Kur u kthye në Tel-Aviv, ndenji mes të internuarve, për shtatë ditë i shtangur, pa mundur dot të fliste. Kur kjo kohë kaloi, fjala e Perëndisë iu drejtua kështu: “Bir i njeriut, po të bëj përgjues për shtëpinë e Izraelit. Kur të dëgjosh një fjalë nga goja ime, do t’i lajmërosh nga ana ime.” Duke marrë kështu përgjegjësinë e jetës dhe të vdekjes së atyre që e kishte dërguar, Ezekieli vigjiloi pa u lodhur për njëzet e dy vjet, në postin e lartë të ruajtjes së shpirtit para Perëndisë. Paratha si me fjalë dhe me vepra simbolike, shkatërrimin përfundimtar të Jerusalemit, si ndëshkim për mëkatet e popullit.
“Fundi po afron, fundi po afron, ja tek po vjen!” (7,6) përsëriste profeti pa u lodhur, duke lajmëruar se Perëndia do të kërkonte llogari për të gjitha shkeljet dhe mëkatet që kishte bërë populli i Tij. Askush nuk mund t’i shpëtonte mbretit të Babilonisë, i cili u bë instrument i zemërimit hyjnor. Do të kërkohej paqja, por s’do të gjendej.
Pasi profetizoi kundër profetëve të rremë, të cilët e qetësonin në mënyrë të gabuar popullin dhe e nxisnin të revoltoheshin kundër Kaldenjve, Ezekieli kujtoi dashurinë e Perëndisë për Izraelin, të cilin e kishte bërë “nusen” e Tij në malin Sina; por që nga kryelartësia për bukurinë e saj, ishte bërë prostitutë duke u dhënë pas idhujve. Zoti, thotë ai, do të mbledhë kombet e huaj, për ta turpëruar, që të vërë drejtësi për pabesnikërinë e saj. Pastaj kur zemërimi i Tij të jetë shuar, me dashamirësi të kulluar Ai do të vendosë me popullin e tij të pajtuar e të pastruar nga sprova, një Besëlidhje të përjetshme.
Profeti shpallte më shumë se gjatë këtij pajtimi, asnjë nuk ka për të dhënë llogari për fajet e etërve të tij, siç mësonte Ligji jude, por secili do të gjykohet në gjendjen që do ta gjejë Perëndia: nëse i keqi vendos të heqë dorë nga mëkatet e tij për t’u kthyer te Perëndia dhe për të marrë prej Tij një zemër të re dhe frymë të re, ai do të jetojë dhe nuk do të vdesë, pasi Perëndia “nuk do vdekjen e mëkatarit, por që të kthehet e të jetojë” (33,11).
Një vit para marrjes së Jerusalemit (588), pasi Perëndia kishte lajmëruar se qyteti i përgjakur do të kalonte në sprovën e zjarrit, si kazani i ndryshkur, që ndryshku të digjet (24), Ezekieli e humbi papritur të shoqen, “gëzimin e syve të tij”; por Zoti e ndaloi të mbante zi. Të nesërmen, ai i bëri të ditur popullit se në të njëjtën mënyrë, ata do të humbnin atë që kanë më të shtrenjtë, dhe se fatkeqësitë do të binin mbi ta në mënyrë brutale dhe as kohë për të vajtuar s’do të kishin.
Disa kohë më vonë, pas marrjes së Jerusalemit (587), një nga të mbijetuarit arriti në Tel-Aviv për të lajmëruar shkatërrimin. Profeti mori fjalën për të sprovuar besimin mendjemadh të të mbijetuarve, dhe paratha se fatkeqësia nuk do të ndalonte këtu dhe se i gjithë vendi do të shkatërrohej. Ai bëri më pas qortimet solemne kundër barinjve të Izraelit: mbretër, priftërinj dhe kryetarë, që kullotnin veten në vend të popullit, me krimet dhe lakmitë e tyre. Ai lajmëroi se Perëndia do ta merrte grigjën e Tij dhe se ai do të bëhej Bariu i popullit, për ta çuar në Tokën e Premtuar dhe për ta kullotur në malet e Izraelit (34). Pas mërgimit, ligjshmëria nuk do të vendosej në Izrael, sepse në këtë erë mesianike, Perëndia do të mbretërojë në popullin e Tij me ndërmjetimin e një Davidi të ri, Bariu i Mirë (shih Joan 10.11-18): “Unë Zoti, do të jem për ta Perëndia, dhe shërbëtori im David do të jetë princ në mes tyre dhe do të jetë për ta një bari” (34,24).
Tregohet se profeti Ezekiel dënoi njerëzit e fisit të Gadit, që silleshin me pabesi, duke iu dërguar gjarpërinj që vranë fëmijët dhe bagëtinë e tyre. Meqenëse u thoshte se nuk do të ktheheshin në tokën e etërve të tyre nëse nuk hiqnin dorë nga veprat e këqija, njerëzit e Gadit nuk i duruan më këto qortime dhe e vranë me gurë njeriun e Perëndisë. Mund të jetë varrosur në varrin e Semit dhe Arfaksadit, pranë Bagdadit.
* * * *
– Oshënare Pelagjia në Tinos –
Një vit pas fillimit të revolucionit grek (1822), e Tërëshenjta iu shfaq një murgeshe të respektuar të quajtur Pelagjia, e cila asketizonte në manastirin e Kekrovunit, në lartësitë e ishullit Tino. I kërkoi të vinte në dijeni një nga fshatarët përreth, Stamatelos Kangadis, se ishte zgjedhur të zbulonte ikonën e së Tërëshenjtës, që gjendej në një arë dhe të ndërtonte një kishë për nder të saj. E frikësuar, e konsideroi veten të padenjë për një vegim të tillë, prandaj nuk u bind. E Tërëshenjta iu shfaq përsëri pas një jave, por Pelagjia e priti me të njëjtat dyshime.
Përfundimisht, ndërsa po lutej, Pelagjia e pa Mbretëreshën e Qiejve para saj, të rrethuar nga një dritë hyjnore. I përsëriti urdhrin që i kishte thënë më përpara dhe e përshëndeti me këto fjalë: “Gëzohu, Toka e Gëzimit të madh…”.
Murgesha iu përgjigj me vazhdimin e himnit: “Lavdëroni, o qiej lavdinë e Perëndisë.” Në fillim të shërbesës së Mëngjesores, Pelagjia shkoi t’i tregonte igumenes vegimin që pati dhe ajo konfirmoi vërtetësinë e tij. Të nesërmen shkoi në fshat dhe e informoi Stamatelos Kangadisin dhe, pasi episkopi i dha bekimin dhe tha se bëhej fjalë për një shenjë të dashurisë së të Tërëshenjtës, mblodhi të gjithë besimtarët për të gërmuar. Por gruaja e zotërisë, që Nëna e Zotit e kishte caktuar, refuzoi veprimet pasi burri i saj nuk ndodhej në shtëpi.
Atë natë, ajo pa në ëndërr sikur një njeri me pamje të tmerrshme e kërcënonte, kështu që ajo jo vetëm lejoi të bëheshin gërmime, por edhe e dhuroi tokën për të ndërtuar kishën. Shumë njerëz erdhën nga ishulli dhe filluan të gërmonin, por nuk gjetën gjë pas 2 muaj kërkimesh. U dekurajuan, disa filluan edhe të dyshonin, megjithatë e Tërëshenjta ndërhyri përsëri dhe punimet rifilluan. Kështu, në 30 janar të vitit 1823, u zbulua një ikonë madhështore e Ungjillëzimit, e cila ishte prerë vertikalisht në dy pjesë, por nuk kishte pësuar dëmtim nga qëndrimi i saj brenda në tokë.
Sapo u vendos në kishën që ishte ndërtuar për nder të saj, filloi të bënte kaq shumë mrekulli, saqë ikona e Tinos është shndërruar në një vend pelegrinazhi popullor të Greqisë. Në manastirin e Kekrovunit, nderohet ende qelia në të cilën Pelagjisë iu shfaq Nëna e Zotit.
* * * *
– Hierodëshmorët Apolinari e Vitali të Ravenës –
Thuhet se shën Apolinari vinte nga Antiokia e Sirisë. Pasi kishte ndjekur shën Petron në Romë, u dërgua prej tij në Ravenë, për të përhapur Lajmin e Mirë. Suksesi që pati te popullsia pagane i solli shumë persekutime. E dëbuan nga qyteti, lundroi për në Korinth dhe si shpëtoi nga përmbytja, predikoi në Mesi dhe në Thrakë, ku e bëri memece idhullin e Serapis. Shkoi përsëri në Ravenë ku përmbysi një statujë të Apolonit. E arrestuan, por u arratis bashkë me një centurion që kishte kthyer në besim. Megjithatë, paganët arritën ta kapnin dhe ta vrisnin.
Kur Ravena u zgjodh kryeqyteti i Perandorisë së Lindjes (402), ajo u bë rezidenca e mbretërve Ostrogotë arianë (493-526), pastaj u shndërrua në ekzarkat bizantin, pas pushtimit të Italisë nga Justiniani (568-751). Gjatë kësaj periudhe u ndërtuan shumë monumente madhështore, kryesisht bazilika, kushtuar mbrojtësve të shenjtë të qytetit: shën Apolinari, nderimi i të cilit u përhap në Itali dhe në pjesën tjetër të Evropës, si dhe shën Vitali.
Shën Vitali ishte personalitet i lartë, i cili kishte shkëlqyer në ushtrinë romake (shek. I dhe II). Ai kishte ndjekur gjykatësin Paulin në Ravenë për ta ndihmuar. Një ditë, një mjek i krishterë, Ursiçini, u soll në gjyq pas shumë torturash mizore, dhe u dënua me prerje koke. Por në çastin e fundit, ai ishte gati të mohonte besimin. Vitali, i cili ishte dëshmitar i kësaj skene, i dha zemër, nga frika se mos ai privohej nga kurora e martirit, dhe e varrosi me shpresëtari. Meqë e kishte shpallur veten të krishterë, e arrestuan edhe atë. Paulini urdhëroi që ta çonin deri në vendin ku Ursiçini ishte ekzekutuar dhe ta fshihnin nën gurë e rërë.
Pas vdekjes së Vitalit, bashkëshortja e tij, Valeria, shkoi në Milano. Nuk kishte pranuar të merrte pjesë në festën pagane dhe rrëfeu besimin. E rrahën çnjerëzisht, e çuan gjysmë të vdekur në qytet, dhe dha shpirt për tri ditë.