– Ungjilli – Mattheu 8:5-13.

 

Edhe kur hyri ai në Kapernaum, i erdhi pranë një kryeqindës, duke iu lutur atij, e duke thënë: Zot, shërbëtori im dergjet në shtëpi i paralizuar, edhe mundohet keq.

Edhe Jisui i thotë atij: Unë do të vij e do ta shëroj. Edhe kryeqindësi u përgjigj e tha: Zot, nuk jam i denjë që të hysh nën strehën time, por thuaj vetëm një fjalë, edhe shërbëtori im do të shërohet. Sepse edhe unë jam një njeri nën urdhër edhe kam nën veten time ushtarë, edhe i them këtij: Shko, edhe shkon; edhe tjetrit: Eja, edhe vjen; edhe shërbëtorit tim: Bëj këtë, edhe e bën.

Edhe Jisui kur dëgjoi u mrekullua, e u tha atyre që i vinin prapa: Me të vërtetë po ju them juve, se as në Izrael nuk kam gjetur kaq besim. Edhe po ju them juve, se shumë do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, edhe do të rrinë bashkë me Abrahamin e me Isaakun e me Jakovin në mbretërinë e qiejve.

Por të bijtë e mbretërisë do të hidhen në errësirën e jashtme; atje do të jetë të qarët dhe kërcëllitja e dhëmbëve. Edhe Jisui i tha kryeqindësit: Shko, edhe t’u bëftë sikundër besove. Edhe shërbëtori i tij u shërua që në atë çast.