Oshnare Makrina.
Oshënare Makrina, motra e shën Vasilit të Madh (1 janar) dhe e shën Grigorit të Nisës (10 janar), ishte më e madhja nga 10 fëmijët e kësaj familjeje të shenjtë. Tregohet se, kur ajo lindi (327), një krijesë qiellore iu shfaq tri herë nënës së saj, Emelias, duke e urdhëruar që t’i jepte fëmijës emrin e shën Theklës (24 shtator), martires së parë dhe modelit të virgjëreshave të krishtera. Por vajza mori emrin e gjyshes së saj, Makrina, e cila kishte qenë nxënëse e shën Grigor Çudibërësit (17 nëntor) dhe kishte jetuar e fshehur në pyjet e Pontit gjatë persekutimeve të mëdha. E ëma u kujdes për edukimin e saj, jo me gjëra të kota të botës, por me urtësinë e Shkrimeve të Shenjta.
Kur u rrit, bukuria e saj nuk mund të fshihej dhe, në moshën 12-vjeçare, i ati e fejoi me një të ri me emër të mirë, që kishte mbaruar studimet dhe kishte premtuar se do të priste Makrinën derisa të mbushte moshën e duhur për martesë. Por, para martesës, Perëndia e mori të riun dhe kështu Makrina mundi të realizonte dëshirën e saj: të jetonte një jetë në pastërti. Iu ofruan shumë raste për martesë, por ajo e konsideronte veten si vejushë, ndonëse nuk kishte pasur më parë jetë bashkëshortore. Qëndroi me të ëmën dhe ndihmoi në edukimin e vëllezërve dhe motrave më të vogla. Pas vdekjes së të atit (341), u mor me administrimin e pronave në Pont, Kapadoki dhe në Armeni.
Makrina u ushtrua në asketizëm bashkë me nënën e saj. Ajo ishte për të gjithë mbrojtje, mësuese dhe model i virtytit. Emelia, kur u rritën fëmijët, e ktheu shtëpinë në manastir. Shërbyeset u bënë shoqe asketizmi dhe Makrina arriti ta bindte Vasilin, i cili u kthye nga Athina pasi mbaroi shkëlqyeshëm studimet atje, t’i përkushtohej jetës engjëllore. Pranë manastirit të grave, i cili shtohej dita-ditës, u formua edhe një komunitet burrash i drejtuar nga vëllai më i vogël i Makrinës, Petroja, episkopi i ardhshëm i Sevastisë.
Vëllai tjetër, Shën Nafkrati (8 qershor), u tërhoq në një vend të shkretë, në bregun tjetër të lumit Iris, ku më pas shkoi edhe shën Vasili, i cili i ndihmonte etërit më të vjetër me gjueti. Të çliruara nga zinxhirët e botës, Makrina bashkë me vajzat e tjera jetonin një jetë engjëllore. Nuk kishte mes tyre zemërim, smirë, urrejtje, arrogancë apo diçka tjetër të ngjashme me to. Jetonin në vetëpërmbajtje, larg dëshirës për lavdi. E siguronin vetë jetesën.
Makrina u sëmur nga një tumor në gji. Me gjithë përgjërimet e nënës së saj, ajo refuzoi të merrte mjekim nga mjeku, duke e gjykuar si jo të pëlqyeshme zbulimin e pjesës së trupit të saj. Gjithë natën e kalonte në lutje dhe e mjekonte plagën me baltën e përzier me lotët e saj.
Një mëngjes i kërkoi së ëmës t’i bënte kryqin mbi plagë dhe qelbi u zhduk menjëherë; mbeti vetëm një shenjë e plagës. Kishte arritur në një vetëpërmbajtje kaq të madhe sa, kur vdiq Nafkrati në një aksident në gjueti, ajo ishte mbështetje e fuqishme për nënën. Gjithashtu edhe kur vëllazërinë e goditën vdekje të njëpasnjëshme. Në kohën kur në Kapadoki ra zija e bukës, manastiri i tyre u bë strehë ngushëllimi për të gjithë popullin e zonës. Lutja e shën Makrinës siguronte rezerva të cilat i shpërndanin te nevojtarët.
Pak kohë pas vdekjes së shën Vasilit, shën Grigori i Nisës mori vesh për gjendjen shumë të rëndë shëndetësore të Makrinës dhe pas 9 vjet mungese, ai shkoi tek ajo. E gjeti të shtrirë në shtrat në ethe, megjithëse shpirti sodiste të mirat qiellore. Në çdo çast fliste për dashurinë e Dhëndrit të saj, Krishtit.
Kur ndjeu të afronte vdekja, psherëtiu dhe u lut: “Zot, Ti e zhduke prej nesh frikën nga vdekja. Ti hape pas kësaj jete këtu në tokë fillimin e jetës së vërtetë. Ti i jep për pak kohë prehje trupit dhe e zgjon përsëri me tingullin e trumbetës. Ti e vendos përsëri përtokë baltën me të cilën na gatove dhe vjen ta marrësh duke e transformuar në pavdekësi dhe bukuri atë që është e vdekshme. Ti na çlirove nga mallkimi i mëkatit. Ti e shtype kokën e dragoit që e rrëzoi njeriun në humnerën e mosbindjes, duke e kapur për fyti. Ti na hape rrugën e ngjalljes, pasi i shembe dyert e ferrit dhe e shfuqizove atë që mbretëronte mbi vdekjen. Ti u dhe të gjithë atyre që të kanë frikë shenjën e Kryqit Tënd të shenjtë për të shuar armikun dhe për t’u dhënë siguri jetëve tona.
O Perëndi i përjetshëm! Ty t’u përkushtova që në gji të nënës sime, Ty të deshi shpirti im me tërë fuqinë, Ty ta kushtova tërë trupin dhe shpirtin tim që nga rinia dhe deri në këtë çast. Vendos pranë meje një engjëll drite, që do të më drejtojë në vend freskie, atje ku gjendet uji i prehjes, në gji të Etërve të shenjtë. Ti që e shove flakën e shpatës dhe e more në parajsë kusarin që u kryqëzua me Ty dhe u fal nga mëshira jote, kujtohu edhe për mua në Mbretërinë Tënde, sepse edhe unë u kryqëzova me Ty, trupin me frikën Tënde dhe u mbusha me frikë nga porositë e Tua. Mos më ndaj nga të zgjedhurit e Tu me humnerën e pakapërcyeshme. Armiku xheloz të mos më pengojë në udhë dhe mëkati im të mos dalë përpara Teje; për shkak të natyrës sonë të dobët, rashë në mëkat me mendim, fjalë dhe vepër. Ti që ke pushtet mbi tokë të falësh mëkatet, falmë edhe mua që të marr frymë dhe kur të ndahem nga ky trup të dal para Teje me shpirt të paqortueshëm dhe të panjollë, si temjani përpara Teje.”
Me këto fjalë, shenjtorja bëri kryqin mbi sytë, buzët, gojën dhe zemrën. Mori pjesë në heshtje në Shërbesën e Mbrëmjes dhe, me një psherëtimë të fundit, u preh. Gjatë varrimit, i cili u kryesua nga shën Grigori, bukuria shpirtërore e shën Makrinës shkëlqente tërë trupin. U varros në Ibora, në varrin ku preheshin prindërit e saj në kishën e Dyzet Martirëve.