Hierodëshmor Athinogjeni.
Ndërsa persekutimi i Dioklicianit po bënte kërdinë në Perandori, duke i ftuar të rinjtë të dorëzonin prindërit e tyre, duke derdhur gjak e duke mbjellë terror kudo, qeveritar Filemaku hyri në qytetin e Sebastisë, në Armeninë e Vogël, i paraprirë nga një kortezh priftërinjsh paganë dhe instrumentistë të flautit dhe cimbaleve. Sapo doli në tribunë, një kasnec shpalli para të gjithë popullit se duhet të sakrifikonte te perënditë e perandorit. Por turma iu përgjigj njëzëri: “Jemi të krishterë, dhe nuk u sakrifikojmë idhujve!” Atëherë filloi masakra, duke i dhuruar Perëndisë kor martirësh të çmuar.
Një farë Nikolla i raportoi qeveritarit se episkopi Athinogjeni, i cili qëndronte në një manastir në Pidaktoi, e inkurajonte popullin që t’i kundërshtonte ediktet e perandorit. Një kontingjent ushtarësh shkoi në manastir dhe pasi nuk e gjeti shenjtin atje, arrestuan dhjetë dishepujt e tij, dhe i çuan në Sebasti të lidhur me vargonj. Qeveritari i burgosi dhe urdhëroi të gjendej mësuesi i tyre.
Të nesërmen, kur Athinogjeni u kthye në manastir, i kërkoi dishepujt anë e kënd, dhe me lot iu lut Perëndisë. Drenusha që e kishin rritur që të vogël në manastir, iu afrua, e puthi në këmbë dhe si mori zë njeriu i tregoi se dishepujt i kishin arrestuar dhe i kishin marrë me vete në Sebasti që t’i martirizonin. Shenjti bekoi kafshën dhe shpejtoi të shkonte në qytet. Kur doli para gjykatës, i thirri tiranit se zemërimi hyjnor do ta dënonte për të gjitha vuajtjet që i kishte shkaktuar të krishterëve. E futën në burg dhe atje u bashkua me nxënësit e tij dhe u dha zemër të këmbëngulnin deri në fund që të kishin pjesë me Krishtin.
Të nesërmen i nxorën para Filemakut, i cili u tha se do t’i torturonte si shumë të krishterë të tjerë nëse nuk sakrifikonin. Episkopi i shenjtë iu përgjigj se këta martirë të lumur tani vallëzonin bashkë me engjëjt dhe dëshironin të bashkoheshin me ta. Qeveritari i shtriu dishepujt e shenjtorit mbi një trekëmbësh dhe urdhëroi t’ua thyenin brinjët. Meqë u treguan të pathyeshëm, ua prenë kokat.
Kur e nxorën Athinogjenin, Filemaku i tha: “Ku është Krishti yt? Pse nuk erdhi t’i shpëtonte shokët e tu?” Edhe shenjtin e shtrinë në trekëmbësh dhe e rrahën në brinjë. Kur e rrihnin, ai bërtiti: “Më ty, o Zot, e vë shpresën time. Shpëtomë në mëshirën tënde.” Atëherë u dëgjua një zë nga qielli: “Ki zemër, i zgjedhuri im, dhe mos ki frikë, sepse unë jam me ty që të të quaj.” Kur xhelatët mbetën si të paralizuar, Filipi, këshilltari i qeveritarit, thirri: “Të kisha thënë që ky ishte magjistar. Atëherë, na i hiq qafe!” Filemaku dha vendimin e vdekjes, por shenjti kërkoi që shenjti të ekzekutohej në manastirin e tij.
Kur kortezhi arriti në manastir, drenusha vrapoi që të gjunjëzohej para këmbëve të shenjtit. Athinogjeni i tha: “Të munguan vëllezërit dhe tani do të të ikë edhe ai që të rriti. Perëndia të dhëntë që të mos bien kurrë fëmijët e tu në leqet e gjahtarëve, vetëm do të ofrosh çdo vit një nga këlyshët e tu që ta japësh si sakrificë ditën e kujtimit tonë.” E la në paqe duke e bekuar. Pastaj iu lut Perëndisë për ata që do ta kremtonin kujtimin e tij dhe, si mori përgjigje për lutjen që bëri, uli kokën nën shpatë që të bashkohej me dishepujt e tij në gëzimin e gostisë qiellore.
Dëshira e shenjtit u dëgjua dhe më pas, çdo vit kur kujtohej kujtimi i tij, në çastin e leximit të Ungjillit të Liturgjisë, një drenushë hynte në kishë dhe mbante edhe një këlysh, të cilin e linte në shenjtërore. Të krishterët flijonin më pas kafshën dhe e hanin për lavdi të Perëndisë dhe për nder të shën Athinogjenit.
* * * * *
Hierodëshmor Antioku.
Shën Antioku ishte me origjinë nga Sebastia dhe ishte vëllai i shën Paltonit (19 nëntor). Ushtronte profesionin e mjekut, dhe vraponte qytet më qytet dhe fshat më fshat për t’u kujdesur për të sëmurët. Në një prej udhëtimeve të tij në Galati dhe Kapadhoki, u arrestua nga qeveritari Adrian. E varën në trekëmbësh dhe ia thyen brinjët, i kaluan pishtarë të ndezur mbi plagë. Meqë ishte i pandjeshëm ndaj këtyre torturave, pasi e lanë natën në burg, në mëngjes e hodhën në një kazan mbushur me vaj të nxehtë.
Qëndroi atje për shtatë ditë dhe nuk pati asnjë plagë, por shkëlqente nga lavdia hyjnore. E hodhën te bishat e egra, por këto nuk guxuan t’i afroheshin. Pak më vonë, i përmbysi tërë idhujt me anën e lutjes dhe i bëri pluhur. Ia prenë kokën duke marrë kurorën e martirizimit. Kur koka i ra nga shpata, gjak dhe qumësht rrodhi nga qafa. Para kësaj mrekullie xhelati Qirjako, rrëfeu hapur Krishtin dhe hodhi anatemën mbi Adrianin dhe idhujt. Ia prenë kokën dhe u bashkua me Antiokun në oborrin e shenjtorëve.