Oshënar Stefan Savaiti.

 

Nipi i shën Joan Damaskinit, lindi në Damask në vitin 725. Kur ishte 10 vjeç xhaxhai i tij e dërgoi në Lavra të shën Savës, ku për 15 vjet u ushtrua shumë mirë në jetën murgjërore.

Pas vdekjes së xhaxhait të tij, shkoi në shkretëtirë dhe iu përkushtua krejtësisht studimit të fjalës së Perëndisë. Gjithashtu në shkretëtirë u mor me poezi dhe arriti të bëhej një nga poetët e Kishës sonë.

Talentin që i kishte dhuruar Perëndia, oshënari ia përkushtoi vetëm lavdisë së Perëndisë dhe jo admirimit njerëzor. Kjo ndodhte sepse ai frymëzohej gjithmonë nga fjalët e Shkrimit të Shenjtë, i cili thotë: “Dhe çdo gjë që të bëni me fjalë e me vepër t’i bëni në emër të Zotit Jisu, duke e falënderuar Perëndinë Atë nëpërmjet tij”.

Oshënar Stefani, pasi e zbukuroi Kishën me poezi, ndërroi jetë në paqe në vitin 807.

 

* * * * *

Oshënare Sara.

 

Tregohet për këtë të lumur, që jetoi në shkretëtirën e Egjiptit rreth shek. V, se për trembëdhjetë vjet u luftua nga demoni i mishit. Megjithatë, nuk u lut që kjo betejë të pushonte, por përkundrazi, që të luftonte gjithnjë e më tepër në asketizëm dhe frikën e Perëndisë.

Përsëriste këto fjalë: “O Perëndi, më jep fuqi.” Një ditë, kur tundimi u bë më i fortë, u ngjit në tarracën e qelisë së saj. Fryma e keqe e mëkatit të mishit iu shfaq me trup dhe i tha: “Ti Sara më munde.” Ajo ia ktheu: “Nuk të munda unë, por KrishtI”.

Për të thuhej se qëndroi pranë Nilit për gjashtëdhjetë vjet dhe kurrë nuk i hodhi sytë për ta parë lumin, kaq shumë ishte dhënë pas lutjes. Ajo thoshte: “Po hedh këmbën që të ngjitem në shkallë dhe e vë vdekjen gjithnjë para syve të mi, para se të ngjitem”.