Hierodëshmor Pangrati i Tavromenisë (Taorminas).
Që në moshë të re prindërit e tij të pasur dhe të mirë e morën nga atdheu i tyre, Antiokia, dhe u pagëzuan të tre bashkë në Jerusalem. Pasi ata ndërruan jetë, Pangrati u bë eremit në një shpellë të Pontit, në veri të Asizë së Vogël.
Apostull Petro (29 qershor) duke kaluar prej andej e mori për bashkëpunëtor të tij në Antioki dhe në Kiliki, ku takuan apostull Pavlin (29 qershor). Të dy korifejtë (ose njëri prej tyre) e dorëzuan atë episkop të Tavromenisë (sot Taormina) në Sicili, ndërsa shën Markianin (30 tetor) e dorëzuan episkop të Sirakuzës. Të dy hierarkët, të lidhur shpirtërisht që nga ai moment, lundruan në Siçili.
Atëherë Pangrati ndriçoi shumë idhujtarë në ishull, si dhe qeveritarin e tij, Bonifatin, për hir edhe të mrekullive të tij: I bënte idhujt të rrëzoheshin në tokë ose të binin në det, ndërsa demonët rrëfyen se kishte ardhur Perëndia i madh dhe i vërtetë.
Shenjti, që ishte muzikant shumë i shquar, kur meshoi për herë të parë në kishën që ndërtoi për një muaj, të gjithë idhujt e Tavromenit u rrëzuan. Shëronte të sëmurët dhe të demonizuarit, urtësonte mendjelehtët. Paratha për fitore kundër pushtuesve dhe i mundi, duke ngritur kundër tyre një kryq dhe dy ikona. Vetëtinte sidomos kur vishte stolitë klerikale dhe, kur nuk meshonte, i hiqte, që njerëzit t’i afroheshin pa u trembur.
Paranjohu fundin e tij, që erdhi kur smirëzinjtë, heretikët mondanë kurdisën linçimin e tij, në kohën kur nuk ishte Bonifati. Trupin e tij e vendosën në arkivol të florinjtë, por në vizion kërkoi që ta varrosnin thjesht, sepse asnjëherë në jetën e tij nuk e deshi floririn. Pra, arkivoli u hap dhe lipsani i bukur pa asnjë shenjë plage, lëshoi erë miro. Atletizimin (martirizimin) e tij e parashikoi në Romë Petroja.
Kremtohet edhe më 9 tetor me shën Markelin e Sicilisë, i cili atëherë quhej babai i hierodëshmorit tonë. Nxënëset e tij ishin virgjëreshat e martirizuara në zjarr, Esia e Suzana (7 qershor).
Pangrat, greqisht do të thotë: i gjithëpushtetshëm.