Oshënar Athanas Athoniti.

 

Është patriarku i murgjërisë së Malit të Shenjtë. Lindi në Trapezuntë, në bregdetin jugor të Detit të Zi rreth vitit 930, jetim nga i ati (që rridhte prej Antiokisë). Që foshnjë humbi nënën dhe në moshën 7-vjeçare kujdestaren, një murgeshë e shenjtëruar. Një i afërm i familjes dhe një tjetër i afërm, gjeneral, e morën nën kujdestari. Në lojëra e bënin igumen.

I mprehtë, i ditur, i shenjtë, mësues me famë në Konstandinopojë, u magjeps nga oshënar Mihail Maleini (12 korrik), xhaxhai i gjeneralit Niqifor Foka dhe igumen i malit Kimina të Vithinisë në veriperëndim të Azisë së Vogël. Atje qethet murg me emrin Athanas, ndërsa më parë quhej Avramiu dhe u lidh me Fokanë, mikun e murgërisë.

Meqë e nderonin shumë, u arratis në Athos ku u paraqit si një i pashkollë. Gjenerali urdhëroi dhe e zbuluan. Athonitët, që atëherë asketonin nëpër kasolle, e vunë si ndërmjetues dhe u ndërtua kisha e shkëlqyer e Protatit, e cila zbukuron Malin e Shenjtë. Më pas u bë eremit në vendin ku ndodhet Lavra e Madhe mahnitëse e tij. Demonët e luftuan për tërë vitin, por, ndërsa do të largohej, një çudi i dëboi. I jepte kurajë edhe e Tërëshënjta, duke iu shfaqur herë pas here.

Fokai e mori në inkursionin e Kretës për t’u lutur, derisa arabët u mundën (961). Menjëherë formon manastirin e parë të Athosit me paratë e Niqifor Fokait, për të murgëruar së bashku. Kur mëson se ai u bë mbret, i shkruan me qortim dhe zhduket. Fokai pendohet, e kërkon dhe e gjen në Qipro, atëherë oshënari kthehet në Athos. Më vonë shkon në kryeqytet. Perandori, i dërrmuar shpirtërisht, i premton përsëri se do të bëhet murg dhe financon përsëri ndërtimin. Në punë e sipër oshënarit i thyhet kavilja dhe dergjet duke vuajtur në shtrat për tre vjet, ndërsa merret me kaligrafi.

Perandor Fokai vritet dhe disa athonitë, që më pas u penduan, e denoncojnë shenjtin te pasardhësi i tij, Joan Cimiski (969-976) si revizionist (ithtar). Perandori i ri e thërret në apologji, por i bëri përshtypje dhe jep para për veprimtarinë. Gjithashtu më 972 i japin lëkurë cjapi, mbi të cilën shkroi “Tipikoja” (rregullorja) e parë e Athosit.

Mrekullibërësi, rilindësi i murgjërisë, u vra së bashku me gjashtë prej bindësve të tij të shumtë në aksident, siç e kishte parashikuar kur ndërtohej kisha e Lavrës, brenda së cilës është i varrosur.

Më 1963 u festua mijëvjeçari i Lavrës dhe i Malit të Shenjtë në përgjithësi.

 

* * * * *

Oshënar Lambadh Çudibërësi.

 

Ati ynë i shenjtë oshënar Lambadhi që në rini iu përkushtua jetës asketike. Me vetëpërmbajtje dhe lutjen vigjilente, arriti ta nënshtronte vullnetin e mishit shpirtit dhe kjo e bëri të shkëlqente si dielli dhe i ndriçoi me mësimin e tij ata që ishin në errësirat e pasioneve dhe dredhitë e demonëve. Bëri mrekullira të mahnitshme, jo vetëm gjatë jetës, por edhe kur shkoi pranë Zotit, duke shëruar nga fatkeqësi ata që afroheshin me besim në shpellën ku kishte kryer përpjekjet shpirtërore (shek. X), pranë Irinopolit, në Isavri, ku edhe janë ruajtur lipsanet e tij.