Mitropoliti Daniel i Vidinit fronëzohet Patriark i Patriarkanës Orthodhokse të Bullgarisë.
Më 30 qershor 2024, në kryeqytetin e Bullgarisë, Sofje, u mbajtën zgjedhjet për Primatin e ri të Kishës Orthodhokse të Bullgarisë, duke pasuar Patriarkun e ndjerë Neofit, i cili fjeti më Zotin më 13 mars 2024.
Gjatë votimit, i cili u zhvillua në dy raunde, shumica e votave (69) nga pjesëmarrësit e Këshillit zgjedhor Patriarkal u hodhën për Mitropolitin e Vidinit, Daniel. Dy hierarkët e tjerë në fletëvotim ishin Mitropoliti Grigori i Vratsës dhe Mitropoliti Gavriil i Loveçit.
Pas shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve, Patriarku i sapozgjedhur Daniel, i shoqëruar nga hierarkët e Kishës Bullgare, vazhduan drejt Katedrales Patriarkale “Aleksandër Nevski”, ku besimtarët e mbledhur e përshëndetën me thirrje të forta “Axios!”. (“I denjë!”).
Në katedrale filloi ceremonia e fronëzimit të Patriarkut të zgjedhur Daniel në Fronin Patriarkal të Kishës së Bullgarisë. Në ceremoninë e Fronëzimit morën pjesë përfaqësues të Kishave Orthodhokse Lokale, zyrtarë shtetërorë bullgarë dhe një numër i madh besimtarësh.
Kisha jonë Orthodhokse u përfaqësua nga Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joani dhe Mitropoliti i Amantias, Hirësi Nathanaili.