– Apostull Petro –

 

Apostulli Petro, i quajtur Simon ose Simeon, bir i peshkatarit Jona nga Betsaida e Galilesë, peshkonte në liqen, kur Perëndinjeriu e ftoi së bashku me të vëllanë, Andrean (30 nëntor), në funksionin apostolik. Më pas i ndërroi emrin duke e quajtur Kefa: Petro që greqisht do të thotë gur. Ishte i martuar dhe përmendet si babai i shënPetronilës (31 maj) dhe bashkëshort i Marisë. Së bashku me apostujt Jakov (30 prill) dhe Joan (26 shtator) ishin tre nxënësit e dashur të Zotit, të cilët ishin të vetmit në çaste të rëndësishme të Tij, si p.sh. te Metamorfoza në Malin Thavor. Entuziast dhe i vrullshëm, u bë korifeu i apostujve dhe mori pjesë aktive në të gjithë veprimtarinë e Krishtit, pas shfaqjes së Tij në publik, i Cili e lumuroi, sepse ai e kuptoi dhe e pohoi si Birin e Perëndisë, por edhe e qortonte për lëkundjet e tij, dikur e quajti satana! Petroja, edhe pse me vetëdashje kishte premtuar të kundërtën, e mohoi Shpëtimtarin para Pësimit të Tij, por, falë pendimit të tij, u rehabilitua prej Tij pas Ngjalljes.

Gjatë Pentikostisë, peshkatari i pashkollë Petro, predikoi në mënyrë të shkëlqyer përpara turmave. Nga fjalët e tij u ndriçuan dhe u pagëzuan 3 mijë vetë! Gjithashtu me predikimin e tij të dytë ktheu në Krishterim 5000 judenj. Bënte shpesh shumë mrekulli,madje, dhe kur kalonte shëronte me hijen e vet të sëmurët që shtriheshin rrugëve! Ishte i zellshëm dhe i përkushtuar, prandaj dhe u quajt “shtyllë” e Kishës. Ai pësoi shumë vuajtje. Gjatë persekutimit të të krishterëve apostull Petron e futën në burg. Populli e parandjeu ekzekutimin e tij dhe u lut. Në mbrëmje ndodhi mrekullia: një engjëll i Zotit zbriti në qelinë e tij dhe këputi zinxhirët,domethënë prangat, të cilat ,ranë nga duart, nuk dihet se kur vargonjtë u transferuan në Konstandinopojë (kjo ngjarje kremtohet më 16 janar). Shenjtori, pa asnjë pengesë dhe pa u vënë re, doli nga burgu.

Ai veproi edhe në Samari, në Azinë e Vogël, Antioki dhe më parë në Qesari të Palestinës, ku, sipas Vep.10:1-11,18, ndodhën si më poshtë: KryeqindëshiKornil ishte një romak dashamirës dhe i dhembshur që kishte simpati për Judaizmin. Ai shërbente në Qesari, ku, falë lutjeve dhe lëmoshave të tij, një engjëll i sugjeroi që të sillte Petron nga qyteti i afërt Jopi.

Të dërguarit e tij mbërrijnë pasi korifeu pa në vegim diçka të vështirë për t’u interpretuar, d.m.th. pa të zbrisnin nga qielli kafshë të pastra e të papastra, sipas Dhiatës së Vjetër, ku tri herë u urdhërua për t’i ngrënë, edhe pse ai kundërshtonte. Tani e kuptoi: Perëndia nuk i veçon izraelitët nga të tjerët, gjë e pakonceptueshme për izraelitët.

Shkon, pra, dhe, si katekizon oficerin dhe njerëzit e shtëpisë së tij, u jep atyre Shpirt të Shenjtë dhe ata pagëzohen të krishterë të parë ish-idhujtarë. Besimtarët e Jerusalemit u çuditën nga novacioni, por Petroja u rrëfeu sa kishte bërë dhe i qetësoi. Petroja u kryqëzua kokëposhtë (64-67 pas Krishtit) në kohën e Neronit (54-68) në Romë dhe u varros aty ku sot lartësohet kisha e tij kryevepër. Në Letrën e tij të parë të përgjithshme të Dhiatës së Re, ai nxit për një jetë të shenjtë dhe mbështet besimin. Letra tjetër i referohet për më tepër Ardhjes së Dytë dhe lufton pseudoprofetët.

 

* * * * *

– Apostull Pavli –

 

Apostull Pavli njihet si kolosi i Krishterimit. Lindi nga prindër judenj të shquar e shpresëtarë në Tarso të Kilikisë (Azia e Vogël Juglindore) midis viteve 5 dhe 15 pas Krishtit. Shën Pavli quhej Saul, Savlos (hebraisht; i kërkuar nga Perëndia), por u bë i njohur në Perandorinë Romake me emrin latin Pavli (i vogël). Mësoi zanatin e bërjes së çadrave dhe thelloi dijet në kulturën greke, madje dhe në atë hebraike dhe u bë farise aq i zellshëm, saqë kur qe i ri, mori pjesë indirekt, në vrasjen me gurë të shën Stefanit (27 dhjetor), duke ruajtur rrobat e atyre që e qëllonin shenjtorin me gurë. Më vonë ai e përndoqi tmerrësisht Kishën… Pikërisht, duke shkuar në përndjekjen e besimtarëve në Damask të Sirisë, në vitin 34, dëgjoi në një vizion verbues Zotin: “Përse më përndjek? Është keq për ty t’u biesh me shkelma gjembave…” (Vep. 26:14). Atëherë verbohet për tri ditë, gjatë të cilave qëndron pa ngrënë. Zoti, me anën e një vegimi, urdhëroi apostull Ananian (1 tetor) të shkonte të gjente Saulin, i cili ndërkohë lutej dhe në vegim shikonte Ananian që vinte për ta shëruar.

Anania heziton për t’iu bindur porosisë hyjnore, sepse e dinte namin e Saulit si persekutor manjak i të krishterëve, i cili qëllimisht mbërriti në Siri: Vinte për t’i arrestuar dhe për t’i çuar në Jerusalem të krishterët që të dënoheshin aty. Por Zoti këmbënguli, sepse ky armik do të shndërrohej në “enë të zgjedhur”, në instrument të zgjedhur të Tij! Atëherë Anania shkon në shtëpinë që i tregon Zoti, vendos duart mbi të verbrin dhe i thotë se e kishte dërguar Ai për ta shëruar, që të shndërrohej në predikues të Tij “para kombeve dhe mbretërve”! Dhe urdhëron: “Vëlla Saul, shih përsëri”! Ca si luspa ranë nga sytë e tij, dhe menjëherë iu kthye shikimi! Ngrihet, pagëzohet nga Anania, ha, forcohet, ripërtërihet.

Më pas përcjell shumanshmërinë e tij të pakonceptueshme “prej mallkimit të ligjit (të pazbatueshëm)” të Dhiatës së Vjetër te Hiri çlirues i Dhiatës së Re. Sinodi Apostolik i vitit 49 miraton tezën e tij, se të krishterët, që më parë ishin idhujtarë, nuk janë të detyruar të respektojnë porositë e Moisiut. Dhe hapet rruga për mbarë botën! Vetë ai bëhet “apostulli i kombeve”. Në të katër udhëtimet e tij plot dinamizëm të paimagjinuar dhe vetësakrificë (v. 47-64), përhap lajmin e Shpëtimtarit në shumë popuj, duke kryer mrekullira. U zbulon dhe athinasve Perëndinë e panjohur, që respektonin.

Ndërkaq, zemërimi i bashkatdhetarëve të tij i shkaktoi shumë të këqija në vende të ndryshme dhe së fundi arrestimin e tij në Jerusalem (v. 57). Duke pasur qytetarinë e privilegjuar romake, lundron i lidhur për t’u gjykuar nga Qesari në Romë, ku mbërrin në vitin 59, pas mbytjes së anijes në Maltë. Në vitin 61 lirohet dhe vepron derisa burgoset përsëri në vitin 64 në Romë, ku, sipas traditës, i pritet koka në kohën e Neronit (54-68) midis viteve 64-68. Teologjia e 14 Letrave të tij vulos tërë gjerësinë e dogmës dhe të moralit.

Të paktën një Letër të tij (dërguar Romakëve) duke e diktuar ai vetë, e shkroi apostull Terti (30 tetor). Duhej shkruesi, sepse ai, kolosi Pavël, udhëtoi nëpër botë dhe ndriçoi, por ndoshta i ishte dëmtuar shikimi. Kjo duket se është “gjembi në mish, engjëlli i satanait” që e fshikullonte për të mos u mburrur se kishte zbulesën e Parajsës. Shumë herë i ishte lutur Zotit që ta shëronte, por i ishte përgjigjur se mjaftonte Hiri që i jepte, sepse fuqia hyjnore tregohet më së miri kur kryen vepra të mëdha nëpërmjet njerëzve të dobët. Që atëherë gëzohej për sëmundjet. Për sëmundjen e tij të syve, ai flet jo në mënyrë të drejtpërdejtë në Letrën dërguar Galatianëve. Të tjerë shëronte, veten e tij jo! Ky qe Pavli i madh.