– Oshënar Davidi në Selanik –

 

Lindi rreth vitit 450 në Mesopotami. Që i vogël iu përkushtua Perëndisë dhe, mbasi e dha lëmoshë pasurinë e tij, shkoi në Selanik. Vendosi që të ushtrohej për tre vjet si stilit dhe madje mbi një bajame, saqë, përveç të ftohtit dhe vapës, i duhej të duronte lëkundjet kur frynte erë. Përulësia e skajshme dhe mundimi në vendin shumë të ngushtë, që mezi nxinte një krevat të vogël, e bëri “apathos” (pa vese) dhe të dëgjuar në qytet. Shumë rendin poshtë “pemës-amvon” (podiumi i Kishës ku lexohet Ungjilli), për të dëgjuar “cicërimën e bukur” të predikimit të “shpendit hyjnor”.

Mbasi kaluan këta tre vjet, një engjëll e porositi që të zbriste dhe kryepiskopi bashkë me klerin e zbritën me nderime. Atëherë u vendos në manastir. Sipas burimeve të tjera, jetoi në manastir para se të ngjitej në pemë. Ndërmjet mrekullive të tij përmenden shërimet e një të verbre dhe të një demonizuari, që u bënë kur i shënoi me shenjën e kryqit.

Megjithëse fillimisht nuk donte, u dërgua me dy nxënës të tij si ndërmjetës i selanikasve te mbreti Justinian I (527-565). Bëhej fjalë për një çështje shtetërore në favor të popullit: Kërkonin që të zëvendësohej eprori i tyre tiranik (ose të transferohej selia e qeveritarit nga Sirmi në Selanik, i cili hiqte shumë nga barbarët). Ai kishte një pamje patriarku. Mjekra i arrinte deri te këmbët. U prit me respekt të thellë prej çiftit perandorak. Shenjti vuri në pëllëmbën e tij qymyr të ndezur dhe temjan. E temjanisi mbretin dhe senatin, pa u djegur.

Kërkesa u mor parasysh dhe shenjti lundroi drejt Selanikut, por pak para mbërritjes fjeti (rreth vitit 535), ashtu siç kishte parathënë para nisjes. Atëherë ndodhën ngjarje të mbinatyrshme. U dëgjuan të psalura qiellore dhe u ndien aroma hyjnore. E varrosën në manastir, siç kishte kërkuar.

Sipas Limonarit (kap. 69) u ushtrua edhe si i mbyllur dhe, kur lutej, qelia e tij ngjante sikur digjej.

Mbas dy shekujsh, afërsisht, u bë transferimi i lipsanit të tij të hijshëm, i cili u gjet i paprishur. Që prej kryqëzatave të shekullit të 13-të, lipsani gjendet në Itali.

David, hebraisht do të thotë: shumë i dashur.

 

* * * * *

– Shën Joani i Gotisë –

Ati ynë oshënar Joani ishte me origjinë nga Partheniti i Gotisë. Ai, si një Samuel i ri, qysh në fëmijëri, nën ndikimin e prindërve, iu përkushtua Perëndisë. Kur u kthye nga një pelegrinazh trevjeçar në Jerusalem dhe në Tokën e Shenjtë, u zgjodh nga populli për të pasuar episkopin e Gotisë, që kishte nënshkruar ediktet ikonoklaste të Konstandin Kopronimit dhe ishte caktuar në selinë e Heraklisë në Thrakë (761). Joani nuk pranoi të hynte në kungim me heretikët dhe u hirotonis nga mitropoliti i Iberisë (Gjeorgjisë), pastaj u kthye në atdheun e tij, ku shpalli besimin e vërtetë me anë të mësimit dhe veprave të tij. Dhjak Longini, nxënësi i tij, që ishte dërguar nga shenjtori te patriarku i Jerusalemit për të marrë mbështetjen e tij në luftën për Orthodhoksinë, u ndalua nga saraçenët, të cilët donin ta kryqëzonin. Por sapo thirri emrin e Joanit, episkopi i shenjtë u shfaq para barbarëve, të cilët u tmerruan dhe e liruan sakaq Longinin.

Kur vdiq perandori heretik (775), shën Joani shkoi në Konstandinopojë dhe i paraqiti perandoreshës regjente Irini dhe patriark Pavlit (shih 30 gusht) dosjen e citimeve nga Shkrimi i Shenjtë dhe nga Etërit rreth ikonave të shenjta, dërguar nga patriarku i Jerusalemit. Ai i bindi që të mos e vononin rivendosjen e nderimit të ikonave, duke thirrur një Sinod Ekumenik (787). Pastaj u kthye në Goti.

Pak më vonë, Khagani i Khazarëve ngriti krye kundër pushtetit bizantin dhe trupat e tij bënë reprezalje të mëdha në Goti, duke vrarë mizorisht shumë të krishterë. Shën Joani u përpoq të organizonte fillimisht rezistencën, por e arrestuan dhe e futën në burg. Arriti të arratisej së andejmi dhe gjeti strehë në Amastris të Pontit, ku jetoi katër vjet me lutje dhe vepra të pëlqyeshme për Perëndinë. Një ditë, kur episkopi i shenjtë po kryente Liturgjinë Hyjnore, shtriu duart drejt qiellit dhe qëndroi pa lëvizur, ndërsa trupi u ngrit nga toka deri në orën e tretë. Kur të afërmit e tij i kërkuan arsyen e kësaj lutjeje, ai u përgjigj se në këtë orë, nxënësit e tij që ishin robër po dilnin para khazarëve dhe se shpëtuan prej vdekjes. Me anë të hirit të Shpirtit të Shenjtë, që banonte tek ai, shenjtori kryente shumë mrekulli dhe i drejtonte nxënësit duke dalluar mendimet e tyre të fshehta.

Kur mësoi për vdekjen e Khaganit, ai tha: “Edhe unë do të vdes për 40 ditë, për t’u gjykuar bashkë me persekutuesin tim para gjykatës së Krishtit”. Gjatë kësaj kohe nuk reshti së mësuari popullin mbi çka është e domosdoshme për shpëtimin e shpirtit. Në ditën që paratha, dorëzoi në paqe shpirtin e tij te Perëndia (rreth vitit 800). Sipas një profecie të shenjtorit, një anije ndaloi të nesërmen në port dhe episkopi Gjergj erdhi dhe e mori trupin e tij, në prani të gjithë popullit që këndonte himne dhe e temjaniste. Kur e kthyen në atdhe, lipsani i tij i nderuar u vendos në manastirin e Shën Apostujve, të cilin e kishte themeluar vetë oshënari dhe nuk reshti së treguar përkujdesjen e tij për të krishterët, duke kryer mrekulli të panumërta.