– Ungjilli – Mateu 4:23-5:13.

Edhe Jisui vinte përqark gjithë Galilesë, duke mësuar nëpër sinagogat e tyre, edhe duke predikuar ungjillin e mbretërisë, edhe duke shëruar çdo sëmundje e çdo lëngatë në popull. Edhe shkoi zëri i tij nëpër gjithë Sirinë, edhe sollën tek ai gjithë ata që kishin keq, që vuanin prej sëmundjesh dhe mundimesh të ndryshme, edhe të demonizuar, epileptikë, e të paralizuar; edhe i shëroi ata. Edhe i shkuan pas shumë turma nga Galilea e nga Dekapoli e nga Jerusalemi e nga Judea edhe që përtej Jordanit.

Edhe kur pa turmat, u ngjit në mal, edhe si ndenji, i erdhën pranë nxënësit e tij. Edhe hapi gojën e tij, e i mësonte, duke thënë:

Lum të varfërit në shpirt, sepse e tyrja është mbretëria e qiejve.
Lum ata që mbajnë zi, sepse ata do të ngushëllohen.
Lum ata që janë të butë, sepse ata do të trashëgojnë dhenë.
Lum ata që kanë uri e etje për drejtësinë, sepse ata do të ngopen.
Lum përdëllimtarët, sepse ata do të përdëllehen.
Lum të pastrit në zemër, sepse ata do të shohin Perëndinë.
Lum paqebërësit, sepse ata do të quhen bij Perëndie.
Lum ata që ndiqen për hir të drejtësisë, sepse e tyrja është mbretëria e qiejve.
Të lumur jeni ju, kur t’ju poshtërojnë e t’ju përndjekin, e të thonë kundër jush çdo lloj fjale të keqe duke gënjyer për shkakun tim. Gëzohuni e ngazëllohuni, sepse paga juaj është e shumtë në qiej. Sepse kështu përndoqën edhe profetët përpara jush.
Ju jeni kripa e dheut. Po në u prishtë kripa, me se do të kripet? Për asgjë nuk vlen më, përveçse të hidhet jashtë, dhe të shkelet nga njerëzit.