– Oshënare Dëshmore Fevronia –
Gjatë mbretërimit të Dioklecianit, prefekti i Romës, Anthimi ishte shumë i sëmurë dhe ia besoi të birin, Lisimakun, vëllait, Selinit. Tri ditë pas vdekjes së Anthimit, perandori e thirri Lisimakun dhe i bëri të ditur se donte ta emëronte prefekt të Romës por me një kusht: ai duhej të shkonte në Lindje dhe të tregonte besnikërinë e tij duke persekutuar të krishterët. Në fakt, në atë kohë qarkullonin zëra se Lisimaku ishte bërë i krishterë, i ndikuar nga e ëma. Lisimaku nuk mund të kundërshtonte dhe u nis bashkë me ungjin, në krye të një trupe të fortë ushtarake. Mbërriti në Palmira, në kufijtë midis Sirisë dhe Mesopotamisë. Selini nuk i kurseu të krishterët. Ai vrau mizorisht shumë prej tyre dhe, në mbarë Lindjen njihej si tiran gjakatar dhe i pamëshirshëm. Lisimaku, që në fakt ushqente simpati të madhe për të krishterët, u mërzit shumë. Ai porositi nipin e tij, Primusin, komandant i një njësie ushtarake, që kudo që shkonin, të lajmëronte paraprakisht të krishterët për ardhjen e tyre, për t’i shpëtuar.
Në Nisibë ndodhej në atë kohë një manastir, ku jetonin 50 virgjëresha, nën drejtimin e së urtës Vriena. Midis nxënëseve shquhej shumë Fevronia, mbesa e saj njëzetvjeçare, e cila ishte rritur në manastir që kur ishte 2 vjeçe. Ajo ishte shumë e bukur dhe e zbukuronte më shumë hiri i virtyteve. Një ditë, një vajzë e re pagane nga një familje fisnike, Hieria, shkoi në manastir dhe kërkoi të fliste me Fevroninë. Hieria u trondit shumë nga biseda me Fevroninë dhe qëndruan tërë natën duke folur e duke derdhur lot. Kur u kthye në shtëpi, Hieria u tregoi prindërve për bisedën e saj me Fevroninë dhe i këshilloi edhe ata të pranonin Lajmin e Mirë.
Nuk vonoi shumë dhe Selini u bë gati të shkonte në Nisibë. Të gjithë të krishterët u lajmërua nga Primusi dhe shkuan të strehoheshin nëpër male e shpella. Në manastir, Vriena i nxiti nxënëset e saj të përballeshin trimërisht me vdekjen për hir të dashurisë për Krishtin. Por disa murgesha e kundërshtuan dhe kërkuan të fshihen, duke nxjerrë si argument se dhe vetë episkopët dhe shumë të krishterë me influencë ishin larguar nga qyteti. Fevronia u tha: “Për hir të Krishtit, Perëndisë së gjallë, nusja e të Cilit jam, për asgjë në botë nuk do ta braktis këtë vend”. Vriena i la të vepronin sipas ndërgjegjes dhe pothuajse të gjitha murgeshat u larguan, përveçse Fevronisë dhe Thomaidhës. Ajo kishte frikë për Fevroninë, që ishte e re dhe e bukur. Vetëm mendimi se persekutorët mund ta fyenin dhe ta dhunonin trupin e saj të brishtë e bënte të dridhej dhe menjëherë solli ndër mend qëndresën e admirueshme që kishin treguar pak kohë më parë nëpër tortura shën Libia, Leonis dhe Eftropia.
Herët në mëngjes, Selini urdhëroi të burgosnin gjithë të krishterët që do të gjenin, si edhe t’i torturonin. Ushtarët u futën në manastir duke thyer dyert dhe gjetën vetëm tre murgeshat. Ata ngritën shpatat e tyre mbi Vrienën, që ajo t’u tregonte se ku ndodheshin nxënëset e tjera. Por Fevronia u ra ndër këmbë, iu lut ta vrisnin të parën, që të mos shikonte vdekjen e nënës së saj më Krishtin. Ndërkohë, Primusi mbërriti në manastir, i dëboi ushtarët dhe, kur mësoi se murgeshat e tjera kishin ikur, e këshilloi Vrienën dhe dy shoqet e saj të bënin të njëjtën gjë. Kur u kthye në pretorium, ai i tregoi Lisimakut se kishte parë në manastir një virgjëreshë me një bukuri të jashtëzakonshme dhe ia propozoi ta merrte për grua. Por Lisimaku iu përgjigj se kishte marrë urdhër nga e ëma, që të mos i keqtrajtonte të krishterët. Prandaj dhe në këtë rast, kishte arsye të forta që të mos keqtrajtonte një virgjëreshë, e cila i ishte përkushtuar Perëndisë, por përkundrazi të bënte të pamundurën që ta mbronte.
Selini dëgjoi nga ushtarët për bukurinë e Fevronisë dhe i urdhëroi t’ia sillnin, pa shoqet e saj. Thomaidha arriti ta ndiqte eskortën, e veshur si burrë. Kur e çuan Fevroninë në amfiteatër, ku ishte mbledhur një turmë e madhe, magji-strati u habit nga bukuria e saj. Ai la mënjanë akuzat dhe i propozoi të martohej me nipin e tij, Lisimakun, duke i premtuar se në Romë do të shijonin shumë lavdi. Por shenjtorja iu përgjigj plot siguri, se ajo i ishte përkushtuar Dhëndrit të pavdekshëm qiellor, i Cili e priste në pallatin e Tij dhe se asgjë në botë nuk do ta detyronte të hiqte dorë. Selini urdhëroi ta zhvishnin lakuriq e ta linin ashtu para syve të të gjithëve, që ta tallnin. Fevronia mposhti turpin e stërgjyshërve të parë dhe veshi Njeriun e ri; ajo e siguroi tiranin se ishte gati edhe në atë gjendje të luftonte djallin dhe veglat e tij. Katër burra e shtrinë sipër një mangalli të madh dhe hidhnin vaj në të që të shtohej zjarri, ndërsa katër të tjerë e rrihnin me kamxhik, me gjithë thirrjet e turmës që kërkonte falje për vajzën e re. Selini nuk donte t’ia dinte dhe i la ushtarët ta rrihnin derisa e lanë gjysmë të vdekur. Sapo erdhi në vete, shenjtorja shfaqi përbuzjen për idhujtarët dhe ai ua dorëzoi ushtarëve, që ia shpuan mishrat e pastaj i shkulën dhëmbët një nga një. Meqenëse qëndronte e pamposhtur, i shqyen brinjët dhe i dogjën gjoksin. Hieria, që ishte e pranishme, ngriti zërin dhe nisi të bërtiste me indinjatë në mbrojtje të shenjtores.
Menjëherë e arrestuan, por patën frikë nga pozita e lartë shoqërore dhe reagimi i popullit. Selini nuk e torturoi, por, për t’i treguar se sa i përbuzte protestat e saj, urdhëroi që Fevronisë t’i prisnin duart dhe njërën këmbë. Shenjtorja i ofroi vetë duart te shpata, por, kur po i prisnin këmbën, xhelati e goditi tri herë, por nuk ia doli mbanë, duke i shkaktuar një dhimbje të padurueshme. Nga dhimbja, ajo i shtriu këmbën tjetër, duke i kërkuar të mbaronte punë sa më shpejt të mundej. Ai bëri punën e tij, ndërsa ajo qëndronte në agoni para magjistratit. Ky i fundit, ngaqë ngutej të shkonte për të ngrënë darkë, urdhëroi xhelatin t’i priste kokën.
Kur Selini u kthye në pallat, e kapën kriza të papritura çmendurie dhe vdiq, duke e përplasur kokën te një kolonë. Lisimaku u mërzit së tepërmi për vdekjen e Fevronisë. Ai dërgoi ushtarë për të marrë lipsanin e saj dhe e çoi në manastir, ku Vriena dhe murgeshat e tjera e pritën me vajtime. Pas kësaj, Lisimaku hoqi dorë nga karriera e pasuria dhe shkoi në manastir, i pasuar nga Primusi dhe shumë ushtarë. Pasi u pagëzuan, gëzimi i tyre ishte i madh. Ata u bënë murgj dhe Hieria, që u pagëzua me tërë familjen, u bë murgeshë në manastirin e Vrienës.
Më vonë, shën Fevronia kujtohej çdo vit dhe shfaqej në mes të motrave në korin e kishës. Por, kur ndonjëra përpiqej ta prekte ose t’i thoshte një fjalë, zhdukej sakaq.
Episkopi i qytetit ngriti një kishë për nder të shenjtores dhe kërkoi të transferoheshin atje lipsanet e shën Fevronisë. Por, sapo iu afruan arkës së lipsaneve, një tërmet i fuqishëm, i shoqëruar nga bubullima të frikshme, nuk i la të vepronin sipas dëshirës së tyre. Kjo ndodhi shfaqi vullnetin e shën Fevronisë për të qëndruar në manastirin e saj. Arritën t’i merrnin vetëm një dhëmb, të cilin e çuan në kishën e re, ku kreu mrekulli të shumta.
* * * *
– Dëshmor Gjergji Nga Atalia –
Ishte nga Atalia, në Azinë e Vogël. Gjergji ishte një djalë shumë sjellshëm. Një ditë, kur u largua nga shtëpia, e rrëmbeu pashai turk dhe me mashtrime e ktheu në mysliman. Më vonë, e martoi dhe me të bijën, por prindërit e djaloshit, shpresëtarë të pasur, të pangushëlluar, që e kishin pikasur se ku ndodhej i biri, iu lutën një shërbëtoreje të tij, Marisë, e cila mori guximin dhe me takt, por edhe me frikë i kujtoi origjinën e tij. Menjëherë erdhi në vete!
Së bashku thurën një plan: me pretekstin e pelegrinazhit, se gjoja ai do të shkonte në Mekë dhe ajo në Vendet e Shenjta, u takuan në Jerusalem. Atje shenjti u rrëfye dhe u kungua.
Pas dy vjetësh, që të mos zbuloheshin, u shpërngulën në Krini (Çezmë), në bregdetin perëndimor të Azisë së Vogël. Gjergji u bë kafexhi dhe u martua me Eleni Mavrojanin.
Në kryengritjen greke të vitit 1821, disa asqerë turq do të kalonin nga Krinia për të shkuar në ishullin përballë, Hio. Gjergji, që punonte atëherë si kujdestar i kuajve të guvernatorit, kur mësoi se do të kalonte edhe ish-vjehrri i tij, nuk pranoi të largohej siç e këshilluan e shoqja dhe Maria, të cilën e kishte si nënë. Madje u kishte folur në mënyrë enigmatike.
Pashai erdhi dhe i shërbeu Gjergji. Ai e njohu, megjithëse me vonesë, dhe e pyeti përse e braktisi të shoqen dhe djalin dhe u inatos sa dëgjoi përgjigjen se ishte i krishterë. Menjëherë e arrestuan dhe e burgosën. Në burg nuk u josh nga premtimet dhe për këtë e rrahën mizorisht dhe e mbyllën në qeli duke e vendosur në “drurin” torturues, nga ku nuk mund të lëvizte. Një prift u përpoq ta ndihmonte me anë të dy të krishterëve, të cilët u burgosën gjoja për borxhe. Prifti i dërgoi edhe Eukaristinë Hyjnore brenda një stafidheje. Më përpara e kishin torturuar, i kishin vënë në kokë një tenxhere shumë të nxehtë dhe i kishin derdhur vaj të përvëluar, por ai i poshtëronte! Gjergji qëndronte i patundur (25.6.1823) dhe bëri agripni tërë natën.
Për tre net rresht, rojat shikonin dritë mbi trupin e varur dhe një klerik, i cili e temjaniste, nuk mundej, madje, t’i kthente dot fytyrën, sepse e mbante përherë të kthyer nga lindja. Më në fund, disa hebrenj e tërhoqën zvarrë dhe e hodhën në det, por e nxori një kapiten grek i një anijeje dhe e çoi në Rusi. Vetë dëshmori i ri i kishte thënë Marisë në ëndërr që ta quanin detar dhe se Eleni do t’i lindte vajzë.