– Lindja e Joan Pagëzorit –

 

Është dëshmia e Krishtit, më i madhi ndër të lindurit prej grave. E lindën në moshë të thyer Zaharia dhe Elisabeta. Zaharia ishte prift, por, sipas të tjerëve, kryeprift. Ndërsa ishte duke temjanisur tempullin, i shfaqet kryeëngjëlli Gavriil dhe i thotë se lutja e tij ishte dëgjuar dhe se e shoqja, që ishte madje edhe shterpë, do të lindte Joanin, pararendësin e Krishtit. Ai nuk besoi. Kërkoi një mrekulli që të bindej dhe ajo iu dha, humbi të folurin dhe të dëgjuarin deri në rrethprerjen e foshnjës.

Dhe, me të vërtetë, kur lindi foshnja, ai shkroi në një tabelë: “Joan është emri i tij”. Menjëherë u shërua dhe lavdëroi Perëndinë dhe, i frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, profetizoi për Pagëzorin me himn madhështor. Ky himn u cilësua si profecia e fundit e Dhiatës së Vjetër dhe e para e Dhiatës së Re.

Joani është profeti i fundit dhe më i madhi, sepse jo vetëm paratha ardhjen e Mesias, por iu fal atij qysh kur të dy ishin në embrion. E tregoi si shpërblyesin, kështu që pasuesit e tij e ndoqën si apostuj, me gjithë kundërshimet e tij. E pagëzoi dhe u shfaq Trinia e Shenjtë. U profetizua si Ilia i dytë. Model i murgjërve, doli në shkretëtirën e lumit Jordan, vishte rroba qimesh, ushqehej me mjaltë dhe karkaleca. Ai veproi publikisht në vitin 29 pas Krishtit, si një zë që buçet në shkretëtirë: “Përgatisni udhën e Zotit”.

Predikonte pendimin dhe pagëzonte turmat e njerëzve që shkonin tek ai, duke i parapërgatitur për pagëzimin e përkryer të krishterë. Gjithashtu ai qortoi edhe mëkatin e mbretit Herod, d.m.th. bashkëjetesën e tij me Herodiadën, që e kishte në farefis, prandaj dhe e burgosi. Faji i dytë i Herodit ishte se, gjatë ditëlindjes së tij, për arsye se po kënaqej shumë nga kërcimi i Salomesë së pacipë, vajzës së Herodiadës, ai u betua se do t’i jepte asaj gjithçka që ajo do të kërkonte. Dhe ajo, e nxitur nga e ëma, i kërkoi kokën e Pagëzorit në pjatë. Faji i tretë, për hir të betimit që kishte bërë, i preu kokën në vitin 32, edhe pse i erdhi keq ngaqë më parë e dëgjonte me kënaqësi.