– Ungjilli – Joani 7:37-52, 8:12.

 

Edhe ditën e fundit, ditën e madhe të së kremtes, Jisui qëndroi e thirri, duke thënë: Kush të ketë etje, le të vijë tek unë e le të pijë. Ai që më beson mua, siç tha Shkrimi, lumenj uji të gjallë do të rrjedhin nga barku i tij. Edhe këtë e tha për Frymën që kishin për të marrë ata që do t’i besonin; sepse ende s’ishte dhënë Fryma e Shenjtë; sepse Jisui ende s’ishte lavdëruar.

Shumë pra, prej turmës kur dëgjuan këtë fjalë, thoshin: Ky është me të vërtetë profeti. Të tjerë thoshin: Ky është Krishti. Të tjerë thoshin: Mos vjen Krishti nga Galilea? A nuk tha Shkrimi se Krishti vjen nga fara e Davidit dhe nga fshati Betlehem, nga ku ishte Davidi? U bë pra një përçarje në turmë për të. Edhe disa prej tyre donin ta kapnin; po asnjë s’vuri duart mbi të.

Erdhën pra shërbëtorët te kryepriftërinjtë e te Farisenjtë, edhe ata u thanë atyre: Pse nuk e prutë? Shërbëtorët u përgjigjën: Kurrë s’ka folur njeri kështu, si ky njeri. Farisenjtë pra iu përgjigjën atyre: Mos u gënjyet edhe ju? Mos i ka besuar atij ndonjë prej të parëve a prej Farisenjve? Po kjo turmë që s’di ligjin, janë të mallkuar.

U thotë atyre Nikodhimi, ai që pati ardhur natën tek ai, i cili ishte një prej atyre: Mos e gjykon njeriun ligji ynë, pa e dëgjuar më parë atë, e pa marrë vesh se ç’bën? U përgjigjën e i thanë: Mos je edhe ti nga Galilea? Kërko e shih, se profet nga Galilea nuk është ngritur.

Jisui pra, përsëri u foli atyre, duke thënë: Unë jam drita e botës. Ai që më vjen pas, nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës.