– Dëshmore Agripina dhe shoqet e saj Paula, Vasa dhe Agathonika –
Dëshmorja e shenjtë dhe e lavdëruar Agripina lindi dhe u rrit në Romë, në gjirin e një familjeje fisnike.
Që nga rinia e saj, iu përkushtua Perëndisë, dhe i nxiste të krishterët të hiqnin dorë prej pasioneve, për të ndjekur bashkë me të jetën e dëlirësisë dhe të virgjërisë. Një numër i madh vajzash të reja dhe grash të pjekura kërkonin të bënin të njëjtën mënyrë jetese me të.
Por shkëlqimi i virtyteve të saj provokoi edhe zilinë e paganëve, të cilët e denoncuan tek autoritetet në kohën e persekutimit të Valerianit (257). E akuzuan për rebelim ndaj institucionit të martesës dhe se, me mashtrim, kishte mbledhur vajza të reja rreth vetes së saj.
Agripina u përgjigj se ajo ia kishte paraqitur Perëndisë dhe se nuk i kishte mashtruar. Virgjëria që ajo nxiste dhe këshillonte, nuk sillte shpërbërjen e shoqërisë, por bashkimin me Shpëtimtarin që erdhi në botë prej Virgjëreshës.
Ajo iu dorëzua vullnetarisht torturave për hir të dashurisë për Dhëndrin qiellor. E goditën në gojë, por ruajti heshtjen. Më pas i grisën rrobat dhe e rrahën aq shumë, saqë gjaku i saj vaditi tokën.
Në fund, pasi e vizitoi një engjëll që i shëroi plagët, e çuan përsëri para gjykatësve, ku mbrojti besimin e saj me siguri të madhe. E dorëzuan përsëri në tortura, gjatë së cilave dha shpirt.
Shoqet dhe motrat e saj shpirtërore Vasa, Paula dhe Agathonika kishin ndjekur gjyqin e saj, duke rrezikuar jetët e tyre. Ato arritën të merrnin më në fund trupin e saj, të cilin ua kishin hedhur qenve për ushqim dhe, të udhëhequra natën nga një kolonë e zjarrtë, mbërritën në Sicili dhe e vendosën në një vend të quajtur Menes. Prania e shenjtores i dëboi menjëherë demonët, të cilët adhuroheshin si perëndi nga banorët e ishullit. Disa piratë saraçenë që vunë dorë në altarin e kishës që mbante lipsanin e saj, u vranë nga shfaqja e një pëllumbi të artë, i cili ishte i armatosur me një kryq.
Plot të sëmurë shëroheshin, duke iu falur lipsanit të saj. Edhe Vasa, Paula dhe Agathonika u gjykuan të denja për të marrë kurorën e martirizimit.
* * * * *
– Artemi i Verkolës –
Bir i një fshatari nga Verkola, fshat në veri të Rusisë, shën Artemi u edukua në mëshirë e tregoi një dashuri të zjarrtë për lutjen. Në moshën 13-vjeçare, ndërsa ishte me babain e tij në fushë, u godit nga një rrufe dhe vdiq. Banorët e fshatit menduan se ishte një ndëshkim hyjnor dhe refuzuan ta varrosnin, prandaj e braktisën trupin e tij në pyll dhe e mbuluan me drurë.
Pas 22 vjetësh, në vitin 1547, fshatarët vunë re në atë vend një dritë të mistershme dhe, pasi e zbuluan trupin e fëmijës, e vendosën në narteksin e kishës së fshatit. Krahina në atë kohë ishte prekur nga një epidemi e tmerrshme. Një nga besimtarët, të cilit po i vdiste djali, mori një gjethe me të cilën kishin mbuluar Artemin, e vendosi mbi kryqin që i sëmuri mbante në kraharor dhe menjëherë ai u shërua. Kur filluan të psalnin himne për nder të shën Artemit, epidemia u zhduk e shumë mrekulli të tjera u kryen më pas.
Më 1610 mitropoliti i Novgorodit bëri të ndërtohej një manastir në vendin
e gjetjes së lipsanit të shenjtit ku u vendos më pas edhe lipsani i shenjtit. Ky vend tërheq shumë pelegrinë. Shën Artemi i Verkolës na mbron nga sëmundja e çrregullimit të zorrëve dhe nga rrufetë.