– Ungjilli – Joani 21:14-25.

 

Tashmë kjo është e treta herë që iu tregua Jisui nxënësve të tij, pasi u ngjall prej së vdekurish.

Pasi hëngrën pra, Jisui i thotë Simon Pjetrit: Simon i Jonait, a më do më tepër se këta? I thotë: Po, Zot, ti e di se të dua. I thotë atij: Kullot shqerrat e mia. I thotë prapë për së dyti: Simon i Jonait, a më do? I thotë: Po, Zot, ti e di se të dua. I thotë: Ruaj dhentë e mia. I thotë për së treti: Simon, bir i Jonait, a më do? Pjetrit i erdhi keq që i tha për së treti: A më do. Dhe i tha: Zot, ti i di të gjitha. Ti e di se të dua. Jisui i thotë: Kullot dhentë e mia.

Me të vërtetë, me të vërtetë po të them: Kur ishe më i ri, ngjishje veten tënde, edhe ecje ku të doje; po kur të plakesh, do të shtrish duart e tua, edhe dikush tjetër do të të ngjeshë ty, edhe do të të shpjerë aty ku të mos duash. Edhe tha këtë, duke treguar me çfarë vdekjeje kishte për të lavdëruar Perëndinë.

Edhe si tha këtë, i thotë: Eja pas meje. Edhe Pjetri u kthye, edhe sheh nxënësin që donte Jisui duke ardhur prapa, i cili në darkë i pati rënë mbi kraharor, e i tha: Zot, cili është ai që të tradhton? Pjetri pra kur pa këtë, i thotë Jisuit: Zot, po ky çfarë do të bëhet? Jisui i thotë: Nëse dua të mbesë ai deri sa të vij unë, ti çfarë ke? Ti eja pas meje. Doli pra kjo fjalë ndër vëllezërit se ai nxënësi nuk vdes. Po Jisui nuk i tha se nuk vdes; por: Nëse dua të mbesë ai derisa të vij unë, ti çfarë ke?

Ky është ai nxënësi që dëshmon për këto dhe që shkroi këto; edhe e dimë se dëshmia e tij është e vërtetë.

Janë edhe shumë të tjera sa bëri Jisui, të cilat në u shkrofshin një nga një, mendoj se as bota vetë nuk do t’i nxinte librat që kishin për t’u shkruar. Amin.