– Apostulli – Veprat e Apostujve 27:1-28:1.
Edhe pasi u pa e udhës të lundrojmë për në Itali, dorëzuan Pavlin dhe disa të lidhur të tjerë tek një kryeqindësh që quhej Jul, prej kohortës Augustiane. Edhe si hipëm në një lundër adramitine, u ngritëm me mendim të lundrojmë afër vendeve të Azisë. Edhe Aristark Maqedonasi prej Thesalonikut ishte bashkë me ne.
Edhe si u ngritëm që andej lundruam në Qipro, sepse erërat ishin kundër. Edhe si kaluam detin e Kilikisë e të Pamfilisë, erdhëm në Mirë të Likisë. Edhe atje kryeqindëshi gjeti një lundër aleksandrine, që lundronte për në Itali dhe na vuri brenda në të. Edhe duke lundruar mjaft ditë ngadalë mezi arritëm në Knidë, edhe pasi nuk na linte era, lundruam nën Kretë nga ana e Salmonës. Edhe pasi e kapërcyem atë me mundim, erdhëm në një vend që quhet Limanet e Mira, afër të cilit ishte qyteti Lasea.
Po kryeqindëshi dëgjonte më tepër kapedanin dhe të zotin e lundrës se fjalët e Pavlit. Edhe pasi limani s’ishte i mirë për të dimëruar, më të shumtët dhanë këshillë të ngrihen që andej, që të arrijnë, në qoftë se mundnin, në Finikë, që është një liman i Kretës që sheh nga jugperëndimi e nga veriperëndimi, edhe atje të dimërojnë.
Po pas pakëz here doli kundër saj një erë stuhie, ajo që quhet verilindore. Edhe pasi u rrëmbye lundra dhe s’mundej t’i qëndronte erës, e lamë dhe silleshim prej erës andej e këtej. Edhe si shkuam nën një ujdhesë të vogël që quhet Klauda, mezi mundëm të zotëronim varkën e shpëtimit, të cilën si e ngritën, përdorën për ndihmë litarë duke e lidhur lundrën që përposh; dhe meqenëse kishin frikë se mos ngecin në Ranishtet e Sirtes, ulën velat, dhe kështu silleshin andej e këtej.
Edhe pasi motin e kishim fort të keq, ditën tjetër derdhëm mallin në det. Edhe ditën e tretë i hodhëm pajisjet e lundrës me duart tona. Edhe meqenëse për shumë ditë nuk dukeshin as dielli as yjet, edhe moti ishte fort i keq, çdo shpresë shpëtimi u hoq prej nesh.
Edhe si kishin shumë ditë pa ngrënë, atëherë Pavli qëndroi në mes tyre, e tha: Duhej, o burra, të më dëgjonit, edhe të mos ngriheshit nga Kreta, dhe të mos hiqnim këto të këqija e këtë dëm. Edhe tani ju këshilloj të gëzoheni, sepse nuk do të humbë asnjë shpirt prej jush, veç lundrës.
Sepse këtë natë m’u duk një engjëll i Perëndisë, i të cilit jam, të cilin edhe e adhuroj, edhe tha: Mos ki frikë, Pavël. Ti duhet të dalësh përpara Qezarit. Edhe ja Perëndia t’i ka falur ty të gjithë ata që lundrojnë bashkë me ty. Prandaj gëzohuni, o burra, sepse besoj në Perëndinë, se kështu do të jetë, siç më është folur mua. Edhe duhet të zëmë tokë në një ujdhesë.
Edhe kur erdhi nata e katërmbëdhjetë, tek po silleshim andej-këtej në detin Adriatik, rreth mesit të natës detarët sikur kuptonin se po afrohen në një tokë. Edhe kur hodhën thellësimatësin, gjetën njëzet pashë ujë; dhe si shkuan pakëz më tej, hodhën prapë thellësimatësin, dhe gjetën pesëmbëdhjetë pashë. Edhe pasi kishin frikë se mos binin në vende shkëmbore, hodhën katër spiranca prej kiçit të lundrës, edhe luteshin të bëhet ditë.
Po pasi detarët kërkonin të iknin nga lundra, dhe zbritën varkën në det, gjoja se do të hidhnin spiranca nga bashi i lundrës, Pavli i tha kryeqindësit dhe ushtarëve: Në mos qëndrofshin këta në lundër, ju nuk do të mund të shpëtoni. Atëherë ushtarët prenë litarët e varkës, edhe e lanë të bjerë jashtë.
Edhe deri sa të bëhej ditë, Pavli u lutej të gjithëve të hanë diçka, duke thënë: Sot është dita e katërmbëdhjetë që jeni duke pritur, të uritur e pa ngrënë gjë. Prandaj ju lutem të hani diçka, sepse kjo është për shpëtimin tuaj; se asnjërit prej jush nuk do t’i bjerë asnjë qime prej kokës. Edhe si tha këto, mori bukë e falënderoi Perëndinë përpara të gjithëve, dhe si e theu, zuri të hajë.
Edhe si morën të gjithë zemër, morën edhe ata dhe hëngrën. Edhe ishim të gjithë në lundër dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë shpirt. Edhe si u ngopën me ushqim, lehtësonin lundrën duke hedhur grurin jashtë në det. Edhe kur u gdhi, nuk e njihnin vendin, por dallonin një gji, që kishte breg, edhe në të menduan, po të mundnin, ta nxirrnin lundrën.
Edhe si tërhoqën lart spirancat, e lanë lundrën në det, duke zgjidhur në të njëjtën kohë lidhjet e timonëve; edhe si ngritën velën e mesme nga frynte era, ia mbajtën drejt bregut.
Edhe si ranë në një vend me det nga të dy anët, shtynë lundrën jashtë; dhe balli i lundrës, si u mbështet, mbeti i patundur, po kiçi shkallmohej nga furia e valëve. Edhe ushtarët bënë këshillë të vrisnin të lidhurit, që të mos ikte ndonjë duke bërë not.