– Dëshmor i ri Nikita –

 

Ishte biri i një fisniku të Nisirit, një ishull i vogël që ndodhet në mes të Kosit dhe Rodosit. I ati mori pjesë në një proces gjyqësor, ku, për të shpëtuar jetën, mohoi besën e krishterë. Turqit e detyruan edhe gruan, bashkë me fëmijët të bënin po të njëjtën gjë. Nikita ishte aq i ri saqë nuk e kuptoi mirë rëndësinë e veprimit të mohimit dhe u rrit në emrin Mehmet.

Një ditë, kur po zihej me një fëmijë tjetër, nëna e këtij të fundit e shau me disa sharje që ishin tipike për turqit, kur donin të fyenin të krishterët. Mehmeti, i plagosur nga këto fjalë, shkoi dhe pyeti të ëmën se përse e kishte sharë në atë mënyrë nëna e shokut të tij. Nëna i tha se ai quhej Nikita në të vërtetë. I riu iu bind ndërgjegjes së tij, braktisi familjen dhe shkoi në një manastir në Hios. Igumeni, tek i cili shkoi të merrte këshilla për mënyrën e shpëtimit, ia besoi shën Makarit të Korinthit (shih 17 prill). Hierarku i shenjtë dëgjoi rrëfimin e tij dhe e mirosi me Miron e Shenjtë, për ta futur përsëri në Kishë.

Më pas Nikita jetoi në manastir dhe tregonte një devocion shumë të madh. U tërhoq në shpellën e themeluesve të shenjtë të manastirit (shih 20 maj) e i bëri të ditur eremitit Anthim dëshirën e tij për t’u martirizuar. Kur u kthye në manastir, kërkoi bekimin e etërve për t’u martirizuar dhe këta, pasi bënë një Paraklis drejtuar Hyjlindëses, ia dhanë bekimin.

Nikita shkoi në fillim në Hora të Hiosit, ku e arrestuan menjëherë ngaqë nuk pagoi taksën që kërkohej nga të krishterët, kur këta udhëtonin në një vend tjetër. Një prift, i njohur i tij, Danieli, e njohu dhe e përshëndeti me emrin Mehmet. Prifti e pyeti se përse një i ri mysliman ishte arrestuar për të paguar taksën e të krishterëve. Rojet e dëgjuan djalin që pohoi se ishte i krishterë dhe ia çuan agait, para të cilit pohoi përsëri besimin e tij. E torturuan për 10 ditë me radhë. Sa herë e çonin në burg, ai nuk pranonte të merrte ushqim, duke u thënë të bashkëburgosurve të tij : “Unë kam një ushqim tjetër të cilin ju nuk e njihni dhe gëzohem me një gëzim që ju nuk mund ta ndjeni”.

E flakën në një stallë kuajsh që ta shkelnin kuajt me këmbë, por u ruajt nga një ndërhyrje e Hirit. E mbyllën në një qelë të errët, e ndriçonte një dritë e përmbinatyrshme.

Pas këtyre torturave, Nikita iu dorëzua një turme të tërbuar. Kur e detyruan përsëri të ndërronte mendje dhe fe, ai u përgjigj: “Unë jam i krishterë, quhem Nikita dhe si Nikita dua të vdes!”. Shumë herë e ulën në gjunjë, sikur do ta ekzekutonin, me shpresë se do të lëkundej në vendosmërinë e tij. Por Nikita u tha: “Përse po vonoheni? Më vrisni sa më shpejt që të shkoj të shijoj lumturinë e Parajsës!”. Kremlesi, një prej gardianëve të tij, mori shpatën dhe e goditi në zverk disa herë, për t’i shtuar dhimbjen.

Kështu shërbëtori i Perëndisë mori kurorën e fitores, më 21 qershor 1732, në moshën 15-vjeçare. Disa të verbër që u lyen me gjakun e tij, gjetën menjëherë shikimin. Turqit derdhën baltë mbi trupin e tij që të mos merrenin të krishterët ndonjë copë nga lipsani, por ky ngeli i paprekur dhe i freskët si një lule. Si përfundim, ata e hodhën në det.

 

* * * * *

– Dëshmor Juliani i Kilikisë –

 

Lindi në Anazarbë, në Kiliki dhe ishte bir i një senatori pagan, por mori edukim të krishterë nga nëna e tij Asklipiodhora. Gjatë persekutimit të Dioklecianit, e denoncuan te qeveritari mizor Markiani që ishte në Flavia, por, si refuzoi të sakrifikonte para idhujve, e kamxhikuan dhe e kërcënuan me tortura të tmerrshme. Magjistrati i egër e detyroi të hante nga mishrat e sakrifikuar, por shenjti refuzoi.

E rrahën përsëri me shkop, e dërguan në Anazarbë dhe gjatë gjithë rrugës e qëllonin. I jepnin të pinte me forcë verë të sakrifikuar idhujve dhe i vendosnin temjan në duar. E transferuan në Egje, në gjirin Isiko, i njohur si vend për tempullin e Asklipit.

Asklipiodhora, nëna e tij, mori leje të qëndronte tri ditë me djalin e saj në burg, gjoja se do t’ia kthente mendjen, por ajo e inkurajoi të qëndronte i fortë deri në fund. Ditët kaluan dhe Markiani urdhëroi që ta lidhnin shenjtin në një thes me rërë dhe të hidhnin brenda gjarpërinj, akrepa dhe insekte helmuese dhe donin përsëri ta hidhnin në det. Në këtë çast shpirti i tij u ngrit lart në qiell dhe u bashkua me shenjtorët e tjerë.

Trupi i tij u gjet më pas dhe u transferua në Antioki, tri milje larg qytetit, për në rrugën e Dafnit ku edhe u ndërtua për nder të tij një kishë ku kryhen mrekulli të shumta, veçanërisht çlirohen të demonizuarit dhe të çmendurit. Gjatë invazionit pers më 537, kisha u dogj. Sinaksari e nderon edhe më 16 mars. Shën Joan Gojarti ka shkruar një fjalim për nder të tij.