– Apostull Juda –
Apostulli i shenjtë Juda ishte vëlla i Jakovit, Joseut dhe Simonit, bijve nga martesa e parë e Josifit (Matth. 13:55). Për këtë arsye ishte “vëlla” (i afërt) i Zotit tonë144. Duke bërë pjesë midis Dymbëdhjetë Apostujve, e ndoqi Zotin gjatë udhëtimeve të Tij në Galile e në Jude dhe, gjatë Darkës së fundit, ishte ai që e pyeti Zotin: “Zot, ç’u bë që do të tregosh veten tënde te ne e jo te bota?”. Jisui iu përgjigj: “Në më do ndonjë, fjalën time do ta ruajë, dhe Ati im do ta dojë dhe do të vijmë tek ai, dhe do të bëjmë banesë tek ai” (Jn. 14:22). Pas Pentikostisë, Juda mori Shpirtin e Shenjtë dhe, i frymëzuar nga zelli hyjnor, predikoi Ungjillin deri në Mesopotami. I ndriçonte shpirtrat me anë të fjalës së tij dhe i shëronte trupat me lutje, për të dëshmuar se fuqia e Perëndisë ishte me të vërtetë me të. Ai vazhdoi rrugëtimin deri në Armeni dhe, kur mbërriti në malin Ararat, paganët e varën dhe e gjuajtën me shigjeta, duke i dhënë kështu kurorën e pavyshkur të martirizimit.
Në Letrën e tij, e cila u radhit shumë shpejt në mes të Shkrimeve kanonike, Apostulli i shenjtë Juda stigmatizon mësuesit dhe heretikët, që futeshin në mes të mbledhjeve të krishtera për të përhapur mashtrimet e tyre. Sjellja e tyre e shthurur ishte prova më e mirë e falsitetit të mësimit që përhapnin, dhe apostulli, duke lajmëruar se ata do të ndëshkohen nga Perëndia, i porositi besimtarët t’u kundërviheshin duke u bazuar në Besimin e vërtetë, që u transmetua një herë e përgjithmonë nga apostujt. Të ndërtuar shpirtërisht me këtë mënyrë, duke u lutur në Shpirtin e Shenjtë dhe duke ruajtur dashurinë, të krishterët do të mundin të marrin në Kishë hirin e Zotit tonë Jisu Krisht për jetën e përjetshme.
Gruaja e shën Judës, Maria, i dha pasardhës, duke i siguruar vazhdimësinë gjenealogjike të Zotit. Tregohet se perandori Domician (96), duke dashur të zhdukte tërë pasardhësit e Davidit, që të mos mbetej asnjë shpresë për Mesinë, dha urdhër të arrestoheshin dy nipërit e Judës, të denoncuar nga disa heretikë. Kur perandori i pyeti për pasuritë e tyre, ata u përgjigjën se zotëronin vetëm pak tokë, që e punonin së bashku. Për të dëshmuar vërtetësinë e fjalëve të tyre, i treguan duart plot kallo. Më pas sovrani i pyeti për Krishtin dhe mbretërinë e Tij. Ata iu përgjigjën që kjo mbretëri nuk është nga kjo botë, por është qiellore dhe se në fund të shekujve, Krishti do të vijë përsëri me lavdi për të gjykuar të gjallët dhe të vdekurit. Domiciani, i siguruar për pafajësinë e tyre, i la të lirë dhe e ndaloi persekutimin. Këta dy shenjtorë, që nderoheshin nga komuniteti i krishterë si martirë dhe të afërm të Zotit, gëzonin autoritet të madh në vitet e para të Kishës. Ata jetuan deri në kohën e Trajanit.
– Oshënar Paisi i Madh –
Lindi rreth vitit 300 në Egjipit. Prindërit e tij ishin njerëz të virtytshm, besimtarë dhe i kishin edukuar të shtatë fëmijët e tyre me moralin e krishterë. Pas vdekjes së të atit, për të u përkujdes nëna e tij. Përkujdesja për fëmijët shpeshherë i shkaktonte trishtim nënës së tij, derisa një natë iu shfaq në ëndërr një engjëll i Zotit, i cili i tha: “Perëndia, ati i jetimëve, më dërgoi të të them se nuk duhet të trishtohesh për përkujdesjen e bijve të tu, sepse nuk je vetëm. Për ta përkujdeset edhe Perëndia. Mos u trishto, pra, por përkushtoja një nga bijtë e tu Perëndisë, nëpërmjet të cilit do të lavdërohet emri i Tij i tërëshenjtë”.
Dhe, duke mbajtur për dore Paisin, engjëlli i tha: “Ky është i pëlqyeshëm te Perëndia”. Këtë pa në ëndërr nëna e Paisit dhe, pasi lavdëroi Perëndinë, ia përkushtoi djalin e vogël Atij. Megjithëse ishte ende shumë i ri, zemra e Paisit digjej nga dashuria për Perëndinë dhe nga dëshira për t’u bërë murg. Jerond Pamvoi e pranoi me gëzim Paisin, i cili shumë shpejt përparonte në virtyt, kreshmonte, bënte agripni dhe për vite të tëra, sipas porosisë së jerondit, nuk i ngriti sytë për të parë fytyrë njeriu.
Pas vdekjes së jerondit, mbeti vetëm Paisi dhe Joani, i cili shkroi edhe jetën e shën Paisit. Joani, duke parë dëshirën e madhe të shenjtit për të bërë jetë asketike, i tha: “Le t’i lutemi Perëndisë të na tregojë dëshirën e Tij”. Pas një lutjeje të nxehtë, Perëndia i shfaqi Paisit dëshirën e Tij, e cila ishte të ndërtonte një manastir ku të lavdërohej emri i Perëndisë. E gjithë shkretëtira të mbushej me asketë, që të lavdërohej emri i Zotit.
Të shumta ishin grackat që djalli përgatiste për të rrëzuar Paisin, por nuk ia arriti qëllimit. Më në fund, i mundur thoshte: “Pais, nuk mund të të bëj asgjë. Po shkoj të luftoj me të tjerë, sepse ti më munde”. Pasi dëgjuan për famën e shenjtit, të shumtë ishin ata që linin botën dhe vinin në shkretëtirë për t’u bërë murgj. Por Perëndia nuk e la vetëm në shkretëtirë këtë pishtar të shndritshëm, por, duke dashur që të ndriçonte edhe të tjerë me dritën e mësimit të tij dhe t’i udhëhiqte në shpëtim, e urdhëroi të dilte edhe jashtë shkretëtirës për të forcuar dhe vëllezërit e tjerë, për t’i bërë ata imitues të virtytit të tij.
Pasi shkëlqeu me virtytet e tij, në një moshë shumë të thyer, Perëndia e ftoi shën Paisin në lumturinë e përjetshme.