Ngjitja (Shestja)

 

   Jisui nuk jetoi me nxënësit e tij mbas ngjalljes, siç kishte bërë para vdekjes së tij. I mbushur me lavdinë e hyjnisë së tij, Ai u shfaq në kohë dhe vende të ndryshme tek njerëzit i tij, duke i siguruar ata, se ishte me të vërtetë i gjallë në trupin e tij të ngjallur dhe të lavdëruar. Atyre, pasi pati vuajtur, iu paraqit i ngjallur me shumë prova bindëse, duke u parë prej tyre për dyzet ditë dhe duke folur për gjërat e Mbretërisë së Perëndisë (Veprat 1:3)Duhet të vihet re se periudha dyzetë ditë përdoret shumë herë në Shkrimin e Shenjtë dhe tregon një periudhë kohore plotësimi e mjaftueshmërie (Gjeneza 7:17; Eksodi 16:35; Gjyqtarët 3:11; 1 Samueli 17:16; 1 Mbretërit 19:8; Jona 3:4; Mattheu 4:2)..

     Ditën e dyzet mbas Pashkës së tij, Jisui u ngjit në qiell, për t’u lavdëruar në të djathtën e Perëndisë (Veprat 1:9-11; Marku 16:19; Lluka 24:51). Ngjitja e Krishtit është nisja e Tij e fundit fizike nga kjo botë mbas Ngjalljes. Ajo është plotësimi zyrtar i misionit të Tij në këtë botë, si Shpëtimtari Mesianik. Eshtë kthimi i tij i lavdishëm tek Ati, që e dërgoi atë në botë për të kryer veprën që i kishte dhënë për të bërë (Joani 17:4-5). …dhe ndërsa po i bekonte, u nda prej tyre dhe e morën lart në qiell. Dhe ata, pasi e adhuruan, u kthyen në Jerusalem me gëzim të madh… (Lluka 24:51-52)

    Kremtimi i Ngjitjes, siç janë edhe të gjitha kremtimet e tilla festive, nuk është thjesht një kujtim i një ngjarjeje të jetës së Krishtit. Me të vërtetë, Ngjitja vetë, nuk duhet kuptuar sikur të ishte thjesht një ngjarje mbinatyrale e një njeriu që po fluturon tej në qiejtë. Shkrimi i Shenjtë thekson nisjen fizike të Krishtit dhe lavdërimin e tij me Perëndinë Atë, bashkë me gëzimin e madh që nxënësit patën kur morën premtimin e Shpirtit të Shenjtë, i cili do të vinte për të siguruar praninë e Zotit tek ata, duke i aftësuar që të bëheshin dëshmuesit e tij deri në skajet e dheut (Lluka 24:48-53; Veprat 1:8-11; Mattheu 28:16-20; Marku 16:16-19).

    Në Kishë, besimtarët në Krishtin, i kremtojnë këto realitete me bindjen se nisja e Krishtit prej kësaj bote u bë për ata dhe për të gjithë njerëzit. Zoti niset për t’u lavdëruar me Perëndinë Atë dhe për të na lavdëruar ne me vetveten e Tij. Ai shkon që të “përgatisë një vend” për ne dhe për të na marrë ne gjithashtu në lumërinë e pranisë së Perëndisë. Ai shkon për t’i hapur rrugën çdo mishi drejt “hierores qiellore… Shenjtërores që s’është bërë me duar” (Shih Hebrenjtë 8-10). Ai shkon për të dërguar Shpirtin e Shenjtë, që buron prej Atit, që jep dëshmi në botë për Të dhe Ungjillin e Tij, duke e bërë atë fuqimisht të pranishëm në jetën e nxënësve të Tij.

    Himnet liturgjike të festës së Shestjes i këndojnë të gjitha këto gjëra. Vargjet antifonalë të Meshës Hyjnore janë marrë prej Psalmeve 47, 48 dhe 49. Përlëshorja e festës që këndohet në hyrjen e vogël, këndohet gjithashtu si himn pas-Kungimor. U ngjite në lavdi, o Krisht, Perëndia ynë dhe u gëzuan nxënësit e tu nga premtimi i Shpirtit të Shenjtë dhe me bekimin u siguruan se Ti je Biri i Perëndisë, Shpëtimtari i Botës! (Përlëshorja)Mbasi e mbarove veprën për ne përmbi dhé dhe bashkove qiellin me dhenë, u ngjite me lavdi, o Krisht, Perëndia ynë, por pa u ndarë prej atyre që të duan ty, duke mbetur me ata dhe duke thënë: Ja unë jam me ju dhe askush nuk do jetë kundër jush! (Shkurtorja).