* * * *
Oshënar Onufër Egjiptiani.
Fjeti në fund të shekullit të 4-t ose në fillim të shekullit të 5-të. Biografinë e tij e shkroi murg Pafnuti, i cili depërtoi në shkretëtirën e thellë për t’u bekuar nga eremitët që do të takonte.
Kështu Pafnuti, pasi eci 17 ditë, dalloi diçka si trup leshtor dhe të bardhë, që vetëm në mes ishte i mbuluar me gjethe. U tremb, por ai e qetësoi duke e thirrur me emrin e tij! Dhe, për t’ia plotësuar dëshirën, i tregoi historinë e tij: Quhej Onufër. Prindërit e tij ishin pa fëmijë derisa e lindën si rezultat i lutjeve të tyre. Babai i tij, mbret i Persisë, duke iu bindur zbulesës hyjnore e solli, ende foshnjë, në një bashkësi murgërore (kinov) të shenjtëruar në Teba të Egjiptit. Edhe gjatë udhëtimit, dhe në manastir e ushqente çuditërisht me qumësht një drenushë.
Kur u rrit, u ndez entuziazmi i tij nga jetët e shenjtorëve, të asketëve (në një farë mënyre) Ilia (20 korrik) dhe Pararendësi (7 janar) dhe iku nga manastiri. Në rrugë u shfaq engjëlli i tij mbrojtës dhe i dha guxim. Depërtoi në shkretëtirë dhe në një kasolle me palma dhe burim gjeti një asket, prej të cilit u këshillua dhe u udhëzua mbas një udhëtimi 4-ditor.
Atje u përpoq burrërisht 60 vjet pa parë njeri! Rrobat e tij u prishën dhe, meqenëse vuante nga të ftohtët apo nga të nxehtët, u lut dhe i mbiu lesh i dendur mbrojtës. Lakuriqësia e tij ia kaloi, sipas vërejtjes së himnografit, edhe porosisë së Krishtit përkundrejt apostujve, që të kishin vetëm një këmishë (Mt.10:10). Çdo ditë engjëlli i sillte një bukë, kurse të dielën Kungimin Hyjnor.
Oshënari, pasi mbaroi tregimin, lajmëroi se do të vdiste. Vërtet, ndërsa po lutej fytyra e tij shkëlqeu, dhe në mes të gjëmimeve dhe vetëtimave u dukën engjëj që psalnin. Shpirti i tij fluturoi si pëllumb i bardhë në duart e Zotit, ndërsa lipsani shndriste dhe mbante erë të mirë. Pafnuti çuditej se si të gërmonte varrin pa vegla, por erdhën dy luanë që, duke iu bindur murgut, e hapën me thonjtë e tyre! Ai mendonte të rrinte përgjithmonë atje, por ra një tërmet, kështu që gurë voluminozë mbuluan kasollen, palmat dhe burimin. E kuptoi se Perëndia donte të kthehej që të mësojmë edhe ne shenjtërinë e Onufrit dhe të eremitëve të tjerë.