– Apostulli – Veprat e Apostujve 11:19-30.
Ata pra që u shpërndanë nga përndjekja që u bë për Stefanin shkuan deri në Finikë e në Qipro e në Antioki, edhe asnjeriu s’ia predikonin fjalën, veç vetëm Judenjve. Edhe disa nga ata ishin njerëz Qipriotë e Kireneas, të cilët, si hynë në Antioki, u flisnin Greqishtarëve, duke dhënë lajmin e mirë për Zotin Jisu.
Edhe dora e Zotit ishte bashkë me ta; dhe një numër i madh besuan, e u kthyen në Zotin. Atëherë fjala për ata u dëgjua në veshët e kishës që ishte në Jerusalem; edhe dërguan Varnavën të shkojë deri në Antioki. Ai, si erdhi dhe pa hirin e Perëndisë, u gëzua dhe i nxiste të gjithë të qëndronin me dëshirë zemre në Zotin, sepse ishte njeri i mirë dhe plot me Frymë të Shenjtë e me besim. Edhe u shtua mjaft popull në Zotin.
Atëherë Varnava doli në Tars, për të kërkuar Saulin; edhe si e gjeti, e pruri në Antioki. Edhe një vit të tërë mblidheshin në kishë dhe mësuan mjaft njerëz; edhe nxënësit në Antioki për të parën herë u quajtën të Krishterë.
Edhe në ato ditë zbritën nga Jerusalemi profetë në Antioki. Edhe u ngrit një nga ata që quhej Agaf, edhe shënoi me anë të Frymës se do të bëhej një zi e madhe në gjithë dhenë, e cila edhe u bë në kohën e Qezar Klaudit. Prandaj nxënësit vendosën që gjithësecili nga ata, sipas gjendjes së tij, t’u dërgojnë ndihmë vëllezërve që rrinin në Jude, gjë të cilën edhe e bënë, duke ua dërguar pleqve me dorën e Varnavës e të Saulit.