– Apostulli – Veprat e Apostujve 17:1-9.

 

Edhe si kaluan nëpër Amfipoli e nëpër Apoloni, erdhën në Thesalonik, ku ishte sinagoga e Judenjve. Edhe Pavli sipas zakonit të tij hyri tek ata, edhe tri të shtuna me radhë diskutonte me ta prej shkrimeve, duke zgjidhur e duke u treguar se Krishti duhej të pësonte e të ngjallej prej së vdekurish, edhe se ky është Krishti Jisu, që po ju predikoj unë juve. Edhe disa nga ata u bindën, edhe u bashkuan me Pavlin e me Silën, si dhe një shumicë e madhe nga Grekët shpresëtarë, edhe jo pak nga gratë e parisë.

Po ata Judenj, të cilët nuk bindeshin, patën smirë, edhe morën me vete ca njerëz të këqij nga ata të tregut, edhe mblodhën njerëz, edhe trazonin qytetin; edhe u sulën në shtëpinë e Jasonit, edhe kërkonin që t’i sillnin ata në popull.

Po pasi nuk i gjetën, hoqën zvarrë Jasonin dhe ca vëllezër tek të parët e qytetit, duke bërtitur se këta që kthyen përmbys botën, kanë ardhur edhe këtu, të cilët Jasoni i priti në shtëpi; dhe të gjithë këta punojnë kundër urdhëresave të Qezarit, duke thënë se është një tjetër mbret, Jisui. Edhe përzien turmën dhe të parët e qytetit që i dëgjonin këto. Edhe si u siguruan prej Jasonit e prej të tjerëve, i lëshuan.