Dëshmorët Aleksandri e Andonina.

 

Shën Andonina ishte virgjëreshë e krishterë që bënte një jetë të pëlqyeshme për Perëndinë në fshatin e Kodramonit.

Atë e arrestuan me urdhër të prefektit Festus, i cili i propozoi ta bënte priftëreshë të Artemidës, por ajo nuk pranoi dhe pohoi Krishtin me shumë guxim. Magjistrati dha urdhër ta rrihnin, pastaj e futi në burg dhe e la pa ngrënë dhe pa pirë. Pas tri ditësh, një rrufe e fuqishme goditi burgun dhe një zë qiellor e inkurajoi shenjtoren të luftonte dhe e ftoi të merrte bukën dhe ujin që i shfaqi para saj. Në mëngjes e çuan para prefektit, të cilit i dëshmoi se kishte humbur në përpjekjen e tij. Ajo kishte një pamje që rrezatonte gëzim dhe shpresë.

Festusi u tërbua dhe i dorëzoi tek ushtarët, të cilët e godisnin me pjesën e sheshtë të shpatave. E lumura nuk reshti së luturi dhe u predikoi me më tepër forcë. Pas këtij dështimi, magjistrati urdhëroi ta çonin Andoninën në një shtëpi publike.

Pas shfaqjes së vizionit të një engjëlli, një ushtar 23-vjeçar, Aleksandri, shkoi në vendin e shthurjes dhe kërkoi të takohej me virgjëreshën, duke u shtirur se donte të përfitonte nga hiret e saj. Por kur ngelën vetëm, ai i zbuloi Andoninës se e kishte dërguar Zoti dhe e ndihmoi të arratisej, duke e mbuluar me mantelin tij ushtarak. Kur pak më vonë erdhën aty katër ushtarë të dërguar nga prefekti për të abuzuar me vajzën e re, por të habitur, ata zbuluan se në vend të saj ndodhej Aleksandri.

E çuan para Festusit dhe Aleksandri pohoi me shumë trimëri besimin në Krishtin, duke i thënë prefektit se edhe ai ishte shërbëtor i Krishtit, i gatshëm për të vdekur për Zotin. Në çastin kur ushtarët po e çonin për ta torturuar, Andonina u shkoi vetë në gjykatë, ku e lidhën bashkë me Aleksandrin. U prenë gishtërinjtë e duarve dhe të këmbëve, pastaj u çanë hijet me kanxha të hekurta, i lyen me zift dhe i hodhën në një gropë me zjarr.

Në fund, ushtarët i mbuluan me dhe, që të krishterët të mos ua gjenin më trupat. Në këtë mënyrë, dy heronjtë e dëlirësisë arritën triumfues në Mbretërinë e Perëndisë.

 

* * * * *

Oshënarët Theofani E Pansemna.

Shën Theofani lindi në Antioki nga prindër paganë, por u kthye te Krishti që fëmijë. U martua në moshën 15-vjeçare, por gruaja e tij vdiq 3 vjet më vonë. U pagëzua dhe u mbyll në një qeli të vogël, jo larg nga Antiokia, që të pastronte shpirtin. Mësoi se një grua imorale me emrin Pansemna (greqisht do të thotë: shumë e dëlirë) ishte bërë shkaku për humbjen e shumë shpirtrave të krishterësh, prandaj me lutje braktisi vendin e tij të qetë e shkoi tek i ati dhe i kërkoi 10 lira ar, se gjoja do të martohej për së dyti.

E ndërroi tunikën e tij të vjetër me veshje të shndritshme dhe shkoi te Pansemna. Pasi hëngri e piu me të, e pyeti se sa vjet kishte në këtë profesion të mjerueshëm.

“Dymbëdhjetë vjet”, iu përgjigj ajo “por nga të gjithë burrat që kam pasur, ti je më i bukuri”. Theofani i propozoi të martoheshin duke i dhënë edhe arin që mbante me vete. I tha se do të përgatitej tashmë për dasmën. Shkoi menjëherë dhe ndërtoi një qeli pranë së tijës e u kthye te Pansemna. I tha se i vetmi kusht që kishte për t’u martuar, ishte që ajo të bëhej e krishterë.

Pas disa hezitimesh, ajo pranoi. Gjatë mësimeve të katekizmit mësoi se në Gjyqin e fundit gjithë veprimet tona do të gjykohen dhe do të shikojmë dritën ose zjarrin e përjetshëm. Ajo u prek dhe e pushtoi dërrmimi shpirtëror. Pas pagëzimit të saj, ajo çliroi skllevërit që mbante, shpërndau të mirat materiale dhe u vendos në qelinë pranë Theofanit. Përparoi kaq shumë, sa u bë e denjë të dëbonte demonët me lutjen e saj e të shëronte të sëmurët. Pas një viti e dy muajsh kthimi te Perëndia, Pansemna fjeti në paqe në të njëjtën kohë me shën Theofanin.

 

* * * * *

Dëshmore Olivia.