Oshënar Kirili i Aleksandrisë.

 

Lindi në vitin 370 në Aleksandri. Shën Nikodhim Agjirioti në sinaksarin e tij thotë se Shën Kirili jetoi në vitet e mbretërisë së Theodhosit. Prindërit e tij ishin shumë besimtarë. Në kujdesin e xhaxhait të tij, Theofilit të Aleksandrisë, Shën Kirili studioi theologji dhe filozofi. Gjatë periudhës së ushtrimit të tij në shkretëtirë, Kirili u lidh me asketin e famshëm Isidor Pilusiotin të cilin e nderonte dhe e respektonte shumë. Rreth vitit 400 u hirotonis dhjak e më pas prift nga Theofili i Aleksandrisë.

Formimi i tij theologjik ishte kaq i lartë, saqë në vitin 412 u bë trashëgimtar i xhaxhait të tij në fronin e Patriarkut të Aleksandrisë. Sapo hipi në fron, ai përzuri nga perandoria heretikët dhe skizmatikët e quajtur novatianë. Këta të fundit, duke i përngjasuar farisenjve, e quanin veten të pastër dhe të drejtë. Vishnin rroba të bardha për të treguar gjoja pastërtinë e shpirtit të tyre. Gjithashtu thoshin se ata që bënin mëkat për vdekje pas pagëzimit, nuk duhet të hynin në kishë.

Shenjti kërkonte ndihmën hyjnore, për të larguar frymërat e këqija dhe demonët nga një altar i vjetër që ndodhej në Manuf. Edhe Patriarku Theofil kishte dashur ta pastronte këtë vend nga frymërat e këqija, por nuk kishte mundur sepse kishte hasur shumë pengesa. Kështu, shën Kirili iu lut Perëndisë t’i jepte ndihmën dhe fuqinë e Tij për t’i larguar demonët nga ai vend. Në ëndërr, një engjëll i Zotit, i tha që të dërgojë atje lipsanët e shenjtë të Anargjendëve të shenjtë Kir dhe Joan.

Pa u vonuar, shenjti zbatoi porosinë e engjëllit dhe menjëherë mrekullia u bë. Sapo solli lipsanet e Anargjendëve të Shenjtë, demonët u larguan. Në atë vend, i cili u bë më pas vend shërimesh, u ndërtua një kishë në emër të Anargjendëve. Kur u bë Sinodi III Ekumenik në Efes, në vitin 431 pas Krishtit, Kirili ishte kryetar dhe kontribuoi në rrëzimin e herezive të Nestorit për personin e Hyjlindëses. Sipas Nestorit, Shën Maria nuk kishte lindur Krishtin Perëndi, por Krishtin njeri, te i Cili më pas hyri Fryma e Shenjtë.

Kirili u njoh si theolog i madh dhe mbrojtës i orthodhoksisë kundër nestorianizmit.

 

* * * * *

Dëshmoret Thekla, Enatha, Maria, Marta dhe Mariamna.

 

Në kohën e persekutimit të Saporit II në Persi (rreth vitit 347), pesë virgjëresha të përkushtuara te Perëndia jetonin në një fshat të Kaskazit, të drejtuara nga një prift, i quajtur Pavël. Ato i kishin besuar atij të gjitha të mirat dhe ky kishte grumbulluar pasuri të mëdha dhe shumë toka. I akuzuar nga kryetari i magëve Narse Tamshapuri, Pavli u arrestua dhe ushtarët i konfiskuan të gjithë pasurinë. Bashkë me të arrestuan edhe pesë nxënëset e tij, që i çuan të lidhura me zinxhirë në fshatin Aza, pranë Arbelit. Tamshapuri solli të parin Pavlin para gjykatës dhe i premtoi se do t’i kthente tërë pasurinë, nëse do të adhuronte diellin dhe do të pinte gjak blatuar idhujve. I lidhur më shumë me arin sesa me Krishtin, ky bir i gehenës bëri gjithçka që i tha magjistari.

Por Tamshapuri, i etur për ta marrë për vete këtë pasuri, sajoi diçka tjetër: i tha se do e mbante premtimin vetëm nëse ai do t’ia dilte mbanë të bindte pesë virgjëreshat të adhuronin diellin dhe të martoheshin.

Kur Pavli u rrëfeu vajzave të reja apostazinë e tij dhe u kërkoi ta ndiqnin pas në këtë rrugë, ato jo vetëm nuk pranuan, por treguan ndaj tij përbuzjen më të madhe dhe e quajtën një Judë të ri. Ato i torturuan dhe secila pësoi 100 goditje me kamxhik, por e pohuan Zotin me më shumë guxim. Tamshapuri i dënoi me vdekje dhe i premtoi përsëri Pavlit se do t’ia kthente pasurinë po t’i vriste me duart e tij, duke shpresuar se ai nuk do të pranonte dhe kështu do ta merrte vete tërë atë pasuri.

Por argjenddashja e kishte bërë zemrën e Pavlit më të ashpër dhe më të pandjeshme se guri; ai mori një shpatë dhe i goditi për vdekje pesë virgjëreshat, të cilat i thanë me një zë të vetëm: “Bari fatkeq që dashuria për paranë të shndërroi në një ujk vrasës. A është kjo sakrifica e pajtimit që ne e kemi marrë prej duarve të tua? A është ky gjaku i jetës që na kanë ofruar duart e tua? E, megjithatë, shpata jote po na sjell jetën dhe lavdinë e përjetshme. Ne po shkojmë tek Jisui, pasuria jonë dhe fitimi ynë; por të mirat që ti kërkon, nuk ke për t’i trashëguar dhe së shpejti do të të arrijë gjykimi i Perëndisë, njësoj si të pasurin e Ungjillit” (Llk. 12:20).

Me të vërtetë, po atë mbrëmje, Tamshapuri e mbyti në burg dhe ia mori të gjitha pasuritë.