– Ungjilli – Joani 6:5-14.
Jisui pra, kur ngriti sytë dhe pa se po vinte shumë popull tek ai, i thotë Filipit: Ku do të blejmë bukë, që të hanë këta? Edhe e thoshte këtë, që ta provonte; sepse ai e dinte se ç’do të bënte. Filipi iu përgjigj: Dyqind dinarë bukë nuk u dalin atyre, që të marrë nga pak gjithësecili nga ata.
Andrea, i vëllai i Simon Pjetrit, një nga nxënësit e tij, i thotë: Këtu është një djalë i vogël që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq. Po ç’janë këto për kaq vetë?
Edhe Jisui tha: Thuajuni njerëzve të rrinë përdhe. Edhe kishte shumë bar në atë vend. Ndenjën pra burrat, rreth pesë mijë veta në numër. Edhe Jisui mori bukët, edhe si falënderoi, ua ndau nxënësve, edhe nxënësit atyre që kishin ndenjur përdhe; kështu edhe nga peshqit sa donin.
Edhe si u ngopën, u thotë nxënësve të tij: Mblidhni copat që kanë tepruar, që të mos humbasë gjë. I mblodhën pra, edhe mbushën dymbëdhjetë kofinë me copa nga të pesë bukët prej elbi që u tepruan atyre që hëngrën.
Njerëzit pra, kur panë çudinë që bëri Jisui, thoshin se me të vërtetë ky është profeti që ka për të ardhur në botë.