– Apostulli – Veprat e Apostujve 13:13-24.
Edhe Pavli dhe ata që ishin rreth tij, pasi u ngritën me anije nga Pafa, erdhën në Pergë të Pamfilisë; edhe Joani u nda nga ata e u kthye në Jerusalem.
Edhe ata pasi ikën nga Perga, erdhën në Antioki të Pisidisë, dhe si hynë në sinagogë ditën e shtunë, ndenjën. Edhe pas leximit të ligjit dhe të profetëve, të parët e sinagogës dërguan tek ata, duke thënë: O burra vëllezër, nëse keni ndonjë fjalë për t’ia mësuar popullit, thuajeni.
Atëherë Pavli si u ngrit e bëri shenjë me dorë, tha: O burra Izraelitë, dhe ju që keni frikë Perëndinë, pa dëgjoni. Perëndia i këtij populli, i Izraelit, zgjodhi etërit tanë, edhe ngriti popullin që rrinte i huaj në dhe të Egjiptit, e me krahë të lartë i nxori ata prej tij. Edhe deri në dyzet vjet duroi sjelljet e tyre në shkretëtirë.
Edhe pasi prishi shtatë kombe në dhe të Kanaanit, u ndau atyre me short dheun e tyre. Edhe pastaj për rreth katërqind e pesëdhjetë vjet u dha atyre gjykatës deri në kohën e profetit Samuil. Edhe pastaj kërkuan mbret, dhe Perëndia u dha atyre Saulin, të birin e Kisit, një burrë prej farës së Beniaminit, për dyzet vjet.