– Ungjilli – Joani 10:1-9.
Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve: Ai që nuk hyn nga dera në oborrin e dhenve, po hipën nga tjetër vend, ai është vjedhës e kusar. Por ai që hyn nga dera, është bariu i dhenve. Këtij i hap derën portari; edhe dhentë dëgjojnë zërin e tij; edhe i thërret dhentë e veta me emër, edhe i nxjerr. Edhe kur nxjerr dhentë e veta, shkon përpara tyre; edhe dhentë i shkojnë prapa, sepse e njohin zërin e tij. Ndërsa të huajit nuk do t’i shkojnë prapa, por do të ikin prej tij; sepse nuk e njohin zërin e të huajve.
Këtë paravoli u tha atyre Jisui, po ata nuk kuptuan çfarë ishin këto që u fliste atyre.
Jisui pra u tha atyre përsëri: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se unë jam dera e dhenve. Gjithë sa erdhën para meje janë vjedhës e kusarë; po dhentë nuk i dëgjuan ata. Unë jam dera. Në hyftë ndonjë me anën time, do të shpëtojë, edhe do të hyjë, edhe do të dalë, edhe do të gjejë kullotë.