U krye Shërbesa e Hapjes së Dyerve të kishës së Shën Sofisë – Mitropolia e Berati
Me hirin e Perëndisë dhe me bekimin e Mitropolitit të Beratit, Hirësi Ignatit, ditën e shtunë, më datë 1 qershor 2024, u krye shërbesa e përurimit, Hapjes së Dyerve, të kishës së Shën Sofisë, (Urtësisë së Perëndisë), në lagjen Kala në Berat. Shërbesa dhe Liturgjia Hyjnore u kryen nga Mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit, Hirësi Nikolla.
Kisha e Shën Sofisë ndodhet në qendër të kalasë së Beratit, përgjatë itinerarit turistik që të çon në Katedralen e Fjetjes së Hyjlindëses Mari (e kthyer në muzeun Onufri). Nga studimet e themeleve të kishës dhe materialeve ndërtimore të gjendura gjatë restaurimit, mendohet se ajo daton midis shekujve XVII-XVIII. Planimetria e kishës është në formë drejtkëndore, dhe stili arkitekturor i saj ka të gjitha elementët e tipit postbizantin. Kisha është monument kulture i kategorisë II.
Mitropoliti i Beratit Anthim Aleksudhi, në vitet 1855-1887, në librin e tij “Përshkrim i shkurtër historik i Mitropolisë së shenjtë të Beratit” na lë një dëshmi të vyer jo vetëm për ekzistencën e këtij objekti kulti më 1868, por mbi të gjitha, duke e identifikuar këtë kishë si Shën Sofia e Urtësisë së Perëndisë (në dallim nga Shën Sofia, shenjtorja e martirizuar me tre vajzat e saj në Romë në shek. II pas Krishtit dhe që kremtohet më 17 shtator) e futur kështu atë kishë në hartën e pak kishave në botë dedikuar Urtësisë së Perëndisë, e cila festohet në kalendarin orthodhoks si Gjysmëpentikostia (25 ditë pas Pashkës).
Gjatë Luftës II Botërore, kisha u dëmtua dhe u dogj pjesërisht nga bombardimet ajrore gjermane, duke u bërë “mburojë për mosshkatërrimin e shtëpive përreth”, sipas dëshmive të banorëve të vjetër të lagjes Kala.
Pllakati në hyrjen ballore të kishës, zbuluar gjatë restaurimeve të fundit, dëshmon për “rindreqjen” e kësaj kishe më 1946 nga “një grup besnikësh”. Me ndalimin e ushtrimit të besimit, më 1967, ndërtesa e saj u kthye në kopsht për fëmijët, për t’u rihapur sërish si kishë pas viteve ‘90.
Projekti për restaurimin e thelluar të saj nisi në vitin 2021, me nismën e një grupi dashamirësish, dhe pas një pune trevjeçare, me hirin e Perëndisë, iu rikthye kultit si e vetmja kishë në Shqipëri, aktualisht në shërbesë, dedikuar Shën Sofisë.
Fjala e Mitropolitit të Fierit Hirësi Nikolla me rastin e Hapjes së Dyerve të Kishës së Shën Sofisë në lagjen Kala në Berat: