10 vjet nga Shenjtërimi i Katedrales “Ngjallja e Krishtit”.
Në datën 1 qershor, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, u krye Liturgjia Hyjnore me rastin e 10-vjetorit të Shërbesës së Shenjtërimit të saj. Liturgjia Hyjnore u krye nga Mitropoliti i Amantias, Hirësi Nathanaili, Episkopi i Bylisit Asti dhe klerikë të kryeqytetit. Atë Grigor Pelushi u foli besimtarëve për rëndësinë e kësaj dite të shënuar.
1 qershori 2014, është një përvjetor me domethënie të shumëfishta dhe gjithmonë aktuale. Ai është rikthimi në qendër të kryeqytetit i “syrit” shpirtëror orthodhoks, nga ishte shkulur me dhunë nga regjimi ateist.
Kjo ditë është afirmimi përfundimtar dhe më i qartë i rikthimit të Kishës Orthodhokse Autoqefale në gjirin e Kishës Orthodhokse të përbotshme, si e barabartë mes të barabartëve. Këtë e dëshmoi pa ekuivok pjesëmarrja në Liturgjinë Hyjnore, të 1 qershorit 2014, e të gjitha Kishave Orthodhokse. Shërbesat u kryesuan nga Patriarku Ekumenik, Vartholomeu, në bashkëmeshim me Fortlumturitë e Tyre, Patriarkun e Jerusalemit, Theofilin; të Serbisë, Irineun; të Rumanisë, Danielin; Kryepiskopin e Qipros, Krisostomin; të Greqisë Jeronimin, Kryepiskopin e Shqipërisë, Anastasin; Kryepiskopin e Polonisë, Savën. Bashkëmeshuan edhe Hirësitë e Tyre Mitropolitë, përfaqësuesit e Patriarkëve të Aleksandrisë, Antiokisë, të Rusisë, të Bullgarisë, të Gjeorgjisë. Gjatë saj, Patriarku Ekumenik do të afirmonte se: “Na ka mbledhur sot kjo ngjarje e madhe dhe historike: Ceremonia e shenjtërimit të Kishës së Shenjtë të Ngjalljes, e cila vërteton edhe ngjalljen e Kishës Orthodhokse Autoqefale në Shqipëri… Për ata që nuk besojnë në Jisu Krishtin, ngjallja duket si mit. Por ne kemi përvojën e Ngjalljes, e cila është edhe realiteti, dhe përvoja jonë biomatike. Në këtë kuptim, edhe shenjtërimi i kësaj Kishe të shkëlqyer Katedrale të Ngjalljes, përbën sot një dëshmi se Ngjallja është realiteti, se Kisha Orthodhokse e Shqipërisë, e cila dikur ishte e vdekur për shkak të persekutimeve ateiste, tashmë është e gjallë, plot jetë dhe kreativitet“.
Kjo ngjarje është dëshmi e gjallë e arritjeve të jashtëzakonshme të Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale në këto vite ngjalljeje të mrekullueshme dhe të paprecedent nga gërmadhat, që i dedikohet veprës së jashtëzakonshme dhe perëndindriçuar të Fortlumturisë së Tij, Anastasit.
Kompleksi i Katedrales është një vepër madhështore arkitektonike dhe artistike, naosi i mbushur me afreske dhe ikona murale në realizim, paraklisi “Lindja e Krishtit”, kambanarja madhështore etj., apo hapësirat e mrekullueshme të Qendrës Kulturore, si salla e madhe e shfaqjeve, e cila është bërë një zgjedhje ndër zgjedhjet e preferuara për veprimtaritë artistike dhe jo vetëm të kryeqytetit, Qendra Sinodike etj. Kompleksi është bërë edhe një nga pikat e përhershme ku ndalen turistët që vizitojnë kryeqytetin.
Foto Album: