Dëshmort Lukiliani, Pavla e 4 Fëmijët.
Në kohën e perandorit Aurelian (270-275), iu raportua kontit Silvan, guvernatorit të Nikomedisë, se disa qytetarë kishin braktisur adhurimin e Zeusit dhe të Herës dhe kishin përqafuar Krishterimin. Ndër ta ishte madje edhe një ish-prift idhujtar, Lukiliani, i cili kishte braktisur prej dy vjetësh theroret për perënditë pagane, që bëheshin për hir të paqes së perandorisë.
Silvani, i zemëruar, dha urdhër të bënin gati sakrificat dhe premtoi një titull të lartë për cilindo që do t’i sillte Lukilianin. Një hebre, Simeoni, e zbuloi në këmbim të një shumë të hollash, vendin ku mblidheshin besimtarët e tjerë. Një grup i madh ushtarësh u dërgua për t’i arrestuar. Pasi kaloi një natë në burg, i veçuar nga të tjerët, Lukiliani u çua para Silvanit, në tregun e qytetit. Konti e kërcënoi me tortura të tmerrshme, në rast se nuk do të hiqte dorë prej të Kryqëzuarit për t’u kthyer në adhurimin e idhujve.
Shenjtori iu përgjigj: “Kurrë nuk do të braktis shpresën që kam gjetur te Krishti, dhe aspak për t’u ofruar sakrificë gurëve të pashpirt dhe demonëve të papastër. Kam humbur shumë vite duke u shërbyer atyre më kot. Dënomë si të duash, mos humb kohë, sepse asgjë nuk do të më bëjë të ndryshoj mendje!”.
Me urdhrin e guvernatorit, ushtarët i çanë fytyrën dhe e kamxhikuan për dy orë, të shtrirë përtokë, lidhur në katër hunj. Pastaj e varën kokëposhtë.
Filozofi Krisp e këshilloi kontin t’i jepte sa më shpejt fund jetës së Lukilianit, sepse kishte frikë se rezistenca e martirit do të sillte konvertime të reja. Silvani e mbylli përsëri në burg. Në qelinë e tij ishin edhe katër fëmijë: Klaudi, Hipati, Dhionisi dhe Pavli, që ishin burgosur për besën e tyre. Ata, kur e panë, i ranë ndër këmbë dhe i kërkuan të lutej që t’u dhurohej edhe atyre kurora e martirizimit bashkë me të.
Në mëngjes, të pestë i çuan në tempullin e Herës ku qëndronte Silvani, i cili i urdhëroi t’u sakrifikonin idhujve, përndryshe do t’i digjte në zjarr. Shën Lukiliani bëri një pohim të fortë të Besimit ku deklaroi se nuk e kishte frikë zjarrin që zgjat për një kohë të shkurtër, ndërsa Silvani duhet të duronte zjarrin e përjetshëm. Fëmijët përsëritën po këto fjalë dhe deklaruan se ata dinin t’i luteshin vetëm Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë.
I tërbuar kur pa se edhe fëmijët e kundërshtuan me një guxim të tillë, Silvani urdhëroi t’i hidhnin në zjarr. Por me lutjen e shenjtorëve, njësoj si në rastin e Tre Djemve në Babiloni, një vesë qiellore erdhi dhe e shoi furrën, dhe ata qëndruan atje duke lavdëruar Perëndinë.
Atëherë Silvani dha urdhër t’i transferonin në Halkidhonë që t’i ofronin sakrifica Zeusit. Fëmijëve u premtoi dhurata të pasura dhe rroba luksoze. Por ata iu përgjigjën me një zë të vetëm: “Këto ndere le të humbasin bashkë me ty në errësirën e humbjes!”. Tirani, i tërbuar, i dërgoi në Bizant, ku katër fëmijëve iu pre koka dhe shën Lukiliani u kryqëzua në një vend të shkretë.
Denoncuan edhe një virgjëreshë të re, Pavlën, që i kishte ndihmuar shenjtorët gjatë burgimit, pavarësisht kërcënimeve të paganëve. E arrestuan në Nikomedi, e çuan para guvernatorit dhe atje pohoi se kishte përqafuar Krishterimin që kishte mësuar nga Lukiliani. E rrahën dhjetë burra me kamxhikë lëkure, duke ndërruar njëri-tjetrin dhe, gjatë kësaj kohe, ajo këndonte: “U rraha tërë ditën, por ti, o Zot, je ndihma ime e fortë” (Ps.72:14, 70:7).
Meqë qëndroi e paepur, ata nisën ta rrihnin me shkop derisa ia thyen të gjitha gjymtyrët. Por, me lutjen e saj, një engjëll erdhi dhe e shëroi, duke i dhënë sigurinë se Lukiliani në qiell, së bashku me katër martirët, luteshin që ajo të mos lëkundej në besim. E çuan përsëri para Silvanit, por ajo qëndroi para tij plot rrezatim dhe guxim, duke i bërë të ditur se ngutej të fitonte trofetë e fitores. Pas shumë torturash, e transferuan në Bizant, ku i prenë kokën teksa lavdëronte Perëndinë, që e denjësoi të vdiste në vendin ku u martirizua shën Lukiliani.
* * * * *
Mbretëresha Klotilda.
Shën Klotilda ishte bija e Shilperikut, që bashkëndante me vëllezërit e tij mbretërinë e Burgondës, nga Zhyra deri në Dyransë. Lindi më 475, në çastin kur, pas shkatërrimit të perandorisë romane, popuj, si burgondët, vizigotët, frankët dhe alamanët, ishin duke rivalizuar njëri-tjetrin për të ndarë Galinë.
Ishte orthodhokse nga ana e së ëmës, në një kohë kur të gjithë zotërinjtë burgondë kishin përqafuar arianizmin.
Pas vrasjes së prindërve nga i ungji, shkoi në Gjenevë, ku, prej bukurisë së rrallë, ra në sy të ambasadorëve të Klovisit, të mbretit të Francës dhe ky i fundit e kërkoi për grua, për të vulosur aleancën e popullit të tij me burgondët (rreth vitit 492).
Me anë të ëmbëlsisë dhe sjelljes së virtytshme, fitoi një ndikim të madh mbi Klovisin, i cili pranoi të pagëzohej biri i tyre i sëmurë, që u shërua falë lutjeve të nënës së tij.
Megjithatë, Klovisi vazhdonte të mbetej i shurdhër ndaj nxitjeve të saj për t’u bërë i krishterë, deri kur iu desh të përballej me alamanët në Tolbiak përtej Rinit (496).
I frikësuar prej superioritetit të kundërshtarit, ai luti “Perëndinë e Klotildës” dhe i premtoi se do të pagëzohej nëse do t’i falte fitoren. Frankët triumfuan në këtë betejë dhe mbreti e mbajti premtimin. Pasi u katekizua prej shën Vaastit (6 shkurt), u pagëzua nga shën Remi, episkop i Reimsit (1 tetor), ditën e Krishtlindjes së vitit 496, bashkë me 3.000 fisnikë e ushtarë frankë.
Më pas, mbretëresha Klotilda arriti t’i frymëzonte Klovisit butësinë në lidhje me armiqtë e tij dhe respektin për institucionet e Kishës. Ajo ndërtoi në Paris një bazilikë dedikuar Apostujve të Shenjtë (sot shën Gjenevieva e Parisit), ku varrosi lipsanet e shën Gjenevievës/Gjenovefës (3 janar).
Pas vdekjes së Klovisit, mbretëresha 40-vjeçare u tërhoq në Tur, pranë bazilikës së shën Martinit (11 nëntor). E kaloi pjesën e mbetur të jetës duke kryer vepra përdëllimtare të pëlqyera për Perëndinë.
Dhuroi mjaft pasuri për një numër të madh kishash dhe manastiresh. Shën Grigori i Turit shkruan për të: “Ajo konsiderohej në këto kohë jo si një mbretëreshë, por si shërbëtore e Perëndisë. Nuk e lejoi veten të joshej prej pushtetit mbretëror të bijve të saj, as prej pasurive apo ambicies së kësaj bote, por fitoi hirin me anë të përulësisë”. Ajo dhuroi aq shumë, saqë, kur vdiq, nuk kishte mbetur më asnjë pasuri për t’u shpërndarë.
U godit shumë nga humbja e djalit të madh, Klodomirit, në luftën kundër burgondëve dhe i mblodhi të tre bijtë e saj më të vegjël në Tur. U hidhërua edhe më tej kur dy bijtë e saj, Kloterin dhe Shildebertin, i kërkuan në Paris për t’i ngritur në fron, por ungjit e tyre i mashtruan dhe i vranë. Në të njëjtën kohë, humbi edhe vajzën e saj, që ia kishte dhënë si grua mbretit mizor dhe të dhunshëm të vizigotëve, Amalarikut.
E privuar prej ngushëllimit tokësor, Klotilda ia dedikoi gjithë jetën e saj nderimit të shën Martinit. Fjeti në paqe në Perëndinë, më 3 qershor 545, duke pohuar Trininë e Shenjtë.
Modeli i të gjitha vejushave sovrane të krishtera, shën Klotilda nderohet si themeluesja dhe mbrojtësja e monarkisë franceze. Sipas një legjende, me zbulesën e një engjëlli, ajo e armatosi Klovisin me një mburojë të stolisur me tri lule zambaku – simboli i Trinisë së Shenjtë – që u kthye në emblemën e mbretërve të Francës.
* * * * *
Oshënar Kevini I Irlandës.
Vinte nga një familje irlandeze e shtresës mbretërore. Lindja e tij u lajmërua te nëna e tij nga një engjëll (rreth 498) dhe pas pagëzimit edukimi i tij iu besua murgjve të manastirit të Kilnamanagut. U dorëzua prift dhe u tërhoq në një vend të shkretë për jetë të vetmuar, në jug të Dublinit në Glendalug. E mohoi botën dhe bënte një jetë të ashpër, i veshur me lëkurë kafshësh, ushqehej me bimë të egra, qëndronte në ujin e akullt të liqenit ku jetonte një bishë uji, atje recitonte përmendësh Psalmet.
Thuhet se qëndroi 7 vjet më këmbë, me duar të kryqëzuara dhe pa mbyllur sytë. Një zog bëri fole në pëllëmbën e tij. Nga një betejë e tillë gjeti hir para Zotit dhe shfaqeshin engjëjt, të cilët e shoqëronin në lutjen e tij. Kur kalonte, pemët i përkuleshin. Të shumtë ishin dishepujt që u mblodhën rreth tij. Megjithëse nuk kishte tjetër përkujdesje veç lutjes, Zoti i siguronte nevojat e tij nëpërmjet një kafshe, e cila i sillte çdo ditë salmon të freskët. Por, kur një nga murgjit mendonte ta vriste kafshën për lëkurën e saj të bukur, ajo u zhduk.
Shenjti e organizoi vëllazërinë, dhe ky manastir u bë qendra e një qyteti të vërtetë murgëror, madje thuhet se atje u mblodhën me mijëra murgj, të cilët kontribuuan në përhapjen e kulturës së krishterë në Irlandën Lindore. Pas kthimit nga një pelegrinazh në Romë, shën Kevin solli lipsane të shenjta që bënë mrekulli të shumta. Pas shumë vitesh si drejtues shpirtëror i dishepujve të tij dhe popullit, fjeti në paqe në moshën 120-vjeçare (rreth 618).
Shën Kevin u nderua mes shenjtorëve irlandezë si shën Patriku (17 mars), shën Brizhida (1 shkurt) dhe shën Kolomba (9 qershor). Manastiri i shën Kevin u bë një nga katër vendet kryesore të pelegrinazhit në Irlandë.