* * * * *
Dëshmor Justin Filozofi.
Shën Justini ishte me origjinë greke, bir i Priskut dhe nip i Vakhiut. Lindi rreth vitit 110 në Neapoli Flaviana, në Sikemin e lashtë të Palestinës. Kaloi nga filozofia stoike, shëtitëse, ajo e Pitagorës dhe e Platonit, të cilat e zhgënjyen frymën e tij kërkuese, derisa rreth vitit 135, me sa duket ishte student në Athinë, ndërsa po filozofonte i vetëm në breg të detit, takoi një të moshuar misterioz.
Pasi bashkëbiseduan ai i propozoi të lexonte Shkrimin e Shenjtë dhe u zhduk. Justini i deriatëhershëm idhujtar u bë tifoz i flaktë i Krishterimit, “i filozofisë së vetme të sigurt dhe të dobishme”, ashtu siç siguronte. Shpejt hapi në Romë shkollën e parë të krishterë të njohur pasapostolike, shkollën e saktë dhe joheretike. Por ligësia e profesorëve filozofë vuri në lëvizje makinacione, të cilat ndërprenë funksionimin e saj.
Rreth vitit 160 largohet nga Roma për arsye të rreziqeve, por kthehet më vonë dhe atje i presin kokën si të rrezikshëm për idhujtarinë rreth vitit 165, së bashku me të dhe nxënësve të tij, Haritonit (greqisht: i hirshëm), virgjëreshës Harito (greqisht: e hirshme), Evelpistit (greqisht: me shpresë të mirë) i cili ishte skllavi i Cezarit, Jeraksit (greqisht: skifter), Peonit (greqisht: goditësi) dhe Valerianit (latinisht: i fuqishëm, i shëndetshëm) ose Liverianit sipas Sinaksarit.
Nga 15 dispensat e tij spontane origjinale joletrare, por plot me ide dhe zell, kanë shpëtuar vetëm tre: “Dialogu me Trifonin” (i cili ishte jude) është protokolli i një bisede dy-ditore, që duket se ishte reale dhe jo imagjinatë; dialogu u zhvillua ndoshta në Athinë rreth vitit 136. “Apologjia e Parë” dhe “Apologjia Dytë” e tij ndaj perandorit dhe pushtetarëve të Romës, të shkruara atje rreth viteve 150-160, përmbysin shpifjet kundër të krishterëve. Në Apologjinë e Parë ekspozohen për herë të parë misteret e Pagëzimit dhe Eukaristisë.
Gjithashtu ka qenë ndoshta himnografi i parë sistematik dhe “drejtuesi i Tipikosë”, d.m.th. rregullatori i adhurimit të përbashkët, “Tipikosë”, përderisa shkroi edhe një libër me titullin “Psalti”. Ky apologjet i dha kryesisht mjetet Krishterimit për të fituar heleno-romanizmin dhe për të shfrytëzuar mendimin e tij. Besonte se dhe jo të krishterët zotëronin elemente të frymëzimit Hyjnor, “Fjalën – Farën” d.m.th. ekzistonin pjesë të vogla të së vërtetës dhe para Krishtit, dhe se të virtytshmit përpara Krishtit si Sokrat filozofi dhe shën Abrahami (9 tetor) kanë qenë të krishterë!
Justin, latinisht do të thotë i drejti.