Oshënar Isaaku i Manastirit të Dalmatëve.
Ati ynë i shenjtë ishte një eremit sirian, i cili jetonte në shkretëtirë gjatë persekutimit të perandorit Valens (364-379) kundër të krishterëve. Më 378, tek po përgatitej perandori në fushatë kundër gotëve, mbledhur në brigjet e Danubit, shenjti iu paraqit atij e i tha: “Madhëri, urdhëro të rihapen kishat, dhe do të kthehesh fitimtar”. Por sovrani e përbuzi.
Të nesërmen, asketi i shkoi përsëri përpara e ia përsëriti kërkesën, por Valensi iku mënjanë. Ditën e tretë i preu rrugën dhe i rrëmbeu kapistrën e kalit e nuk pushonte së përsërituri kërkesën. Kur arritën në një grykë të thellë, perandori, i lodhur, i urdhëroi rojat e tij ta kërkonin shenjtin. Ai ra në mes të manave, si në një krevat të rehatshëm dhe dy të rinj të veshur me rroba të bardha e tërhoqën dhe e çuan shëndoshë e mirë në Konstandinopojë, në mes të sheshit, para perandorit që po vinte. I çuditur, Valensi e pyeti nëse ishte ai që kishte rënë në atë grykë.
Shenjti iu përgjigj: “Hap kishat dhe do të kesh gëzim. Nëse nuk vepron kështu, ta dish se do të humbësh, armiqtë do të të djegin mbi kashtë”. I tronditur nga ky zbulim, perandori ngarkoi dy senatorët, Saturninin dhe Viktorin, të ruanin Isakun, derisa ai të kthehej. Beteja u zhvillua pranë Adrianopojës më 9 gusht 378, ku ushtria e perandorit u shpartallua. Valensi u tërhoq, u fsheh në një mullar kashte.
Barbarët e zbuluan atëherë dhe i vunë zjarrin, kështu që perandori u dogj mjerueshëm, duke u përmbushur kështu edhe profecia e Isakut. Trupat që kishin shpëtuar nga përleshja, donin ta vinin në provë Isakun dhe i thanë: “Përgatitu të japësh llogari për sjelljen tënde, sepse perandori po kthehet”. Por shenjti u përgjigj: “Ja, era e kockave të tij të djegura më ka ardhur që prej 7 ditësh”. Kur Theodhosi i Madh erdhi në pushtet, si u informua për rolin e madh që kishte luajtur murgu, e liroi dhe shpalli një dekret i cili u kthente orthodhoksëve përdorimin e kishave të tyre pas 40 vjetësh ndalimi. Isaaku deklaroi se tashmë misioni i tij kishte përfunduar dhe se duhej të kthehej në shkretëtirë. Por Saturnini dhe Viktori iu lutën me lot të qëndronte në qytet e të ringrinte jetën murgërore të lënë pas dore gjatë persekutimit arian.
Por ai pranoi vetëm me kusht që t’i ndërtonin një qeli në një vend të qetë e të veçuar. Të dy senatorët u bënë fëmijët e tij shpirtërorë. Saturnini ofroi një tokë të vogël në Samathia, pranë Kserolofos, ku shenjti u vendos në një qeli të thjeshtë dhe filloi jetën e tij eremite. Çdo mëngjes, të dy fëmijët shkonin dhe i merrnin bekimin. Shumë njerëz të tjerë të devotshëm e vizitonin. Vetë perandori Theodhos shkonte e shikonte dhe i kërkonte lutje për perandorinë. Shumë nxënës shkuan pranë tij dhe pak nga pak vendi u bë manastiri i parë në Konstandinopojë (382). Nën ndikimin e tij, shumë vëllazëri të tjera me rreth 50 murgj u ndërtuan, si brenda qytetit ashtu edhe përreth tij, veçanërisht ai i Shën Ipatit.
Shën Isaku i vizitonte shpesh dhe i nxiste në punët shpirtërore. Megjithëse nuk kishte një autoritet zyrtar, nderohej si atë nga të gjithë murgjit e kryeqytetit. Kur mësonte se njerëzve u mungonin gjërat më të nevojshme, vinte në dijeni të krishterët që ishin të pasur dhe këta i ndihmonin. Ditët e tij të fundit i kaloi në paqe në manastir. U lajmërua nga Zoti për largimin e tij, mblodhi dishepujt dhe i ngushëlloi të qëndronin të fortë dhe caktoi Dalmatin që ta pasonte, më pas dha frymën te Perëndia më 406. I gjithë populli u hidhërua. Pas ceremonisë në katedrale drejtuar nga patriku, Aureliani, një personazh i oborrit, i cili ishte administrator i zellshëm i shenjtit, dërgoi një grup ushtarësh që të mbanin trupin e shenjtit e ta vendosnin në katakombin e kishës së ndërtuar nga vetë Aureliani për nder të shën Stefanit.
* * * * *
Oshënare Emelia.
Oshënarja lindi në Kapadhoki, e cila asokohe ishte provincë e Perandorisë romake, në fund të shek. III ps. K. Në ato zona Krishterimi ishte përhapur shumë, aq sa perandoria romake pagane filloi ta shihte si kërcënim. Emelia u martua me një shpresëtar të quajtur Vasil, dhe patën 9 fëmijë. Besimi i tyre i thellë u reflektua edhe tek fëmijët, shumë prej të cilëve i nderojmë sot si Etër dhe shenjtorë të mëdhenj të Kishës sonë, si Vasili i Madh, Grigori i Nisës, shën Makrina, Theosevia, Petro i Sebastisë etj.
Pasi i shoqi ndërroi jetë, Emelia e kaloi pjesën e mbetur të jetës në përkushtim të plotë ndaj Perëndisë së bashku me të bijën, Makrinën. Meqë komunitetet murgërore nuk ishin përhapur ende gjerësisht, u përkushtuan në shtëpinë e tyre, duke i trajtuar shërbëtorët si të barabartë me ta. Mënyra e tyre e jetesës tërhoqi edhe vajza të tjera, duke krijuar kështu një kinov të vogël, të përkushtuar lutjes dhe lavdërimit të Perëndisë.