Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë – dëgjesë në Ministrinë e Shëndetësisë
Të hënën, 27 maj 2024, në selinë e Sinodit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, që ka presidencën e radhës të këtij organizmi, u mblodh Bordi i Presidencës së KFNSH-së, për të diskutuar dhe një herë rreth projektligjit “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”, për të cilin është krijuar një grup pune me ekspertë të fushave të ndryshme.
Gjatë saj u miratua raporti përfundimtar i grupit të punës, i cili u paraqit gjatë takimit të përfaqësuesve të të pesë komuniteteve fetare në vend në Ministrinë e Shëndetësisë.
Të nesërmen, më 28 maj 2024, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë zhvilloi një takim në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Në këtë takim në emër të KNFSH-së merrni pjesë disa nga anëtarët e grupit të punës të ngritur në lidhje me projektligjin “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”, përfaqësues të pesë komuniteteve fetare në Shqipëri dhe specialistë të fushës juridike, mjekësore, sociale dhe etiko-teologjike.
Grupi i punës i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, i drejtuar nga Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, Sekretar i Përgjithshëm i KNFSH-së, u prit nga zëvendësministret e Shëndetësisë, znj. Mira Rakacolli dhe znj. Entela Ramosaçaj, si dhe nga anëtarë të grupit të punës, përfaqësues të ministrisë.
Fillimisht z. Kruja, në emër të Këshillit Ndërfetar, pasi falënderoi Ministrinë e Shëndetësisë për pranimin e kërkesës për realizimin e këtij takimi, shpalosi edhe një herë qëndrimin e qartë të komuniteteve fetare mbi këtë ligj, bazuar në këto pika:
- Së pari: Jemi kundër parashikimit të sterilizimit si metodë e planifikimit familjar, veç rasteve kur ka tregues mjekësorë, sepse sterilizimi është një ndërhyrje e pakthyeshme dhe ndikon negativisht në shëndetin dhe jetën e personit, është shpallur i ndaluar edhe në vende më të zhvilluara; si dhe gjithashtu sepse bie ndesh me parimet që mbrojnë familjen dhe jetën.
- Së dyti: Në asnjë germë të projektligjit nuk gjejmë kujdesin e nevojshëm, që i duhet kushtuar politikave për shtimin e mbështetjes dhe nxitjen e lindshmërisë në vendin tonë me masa sociale, ekonomike, edukative dhe shëndetësore.
- Së treti: Jemi kundër ndërprerjes vullnetare të shtatzënisë, veç rasteve kur ka tregues mjekësorë, jo vetëm sepse besimet tona janë pro jetës, por edhe e konsiderojnë abortin si krim, përveç rasteve kur bëhet për të ruajtur shëndetin e nënës. Për më tepër, një argument kritik që përbën kambanë alarmi për çdo politikbërës janë statistikat rreth nivelit të lindshmërisë, në vendin tonë: niveli i lindshmërisë është 1.4 fëmijë për çift, ndërkohë, që niveli i mbijetesës së shoqërisë është minimalisht 2.1 lindje për çift. Me këto ritme, cili do të jetë fundi i pashmangshëm?
- Së katërti: Kërkojmë që mëmësia zëvendësuese/surrogate të mos lejohet në Shqipëri, për shkak se cenon rëndë dinjitetin e gruas dhe fëmijës; përbën rrezik të shtuar për trafikim të qenieve njerëzore, trafikim organesh, shfrytëzim të të miturve, shfrytëzim të femrave për lindje të porositura për qëllime kriminale, të cilësuar edhe nga Direktiva e Parlamentit Evropian. Për më tepër, mëmësia zëvendësuese e kthen qenien e ngjizur në një objekt për të cilin me ligj mund të negociohet; gjë që mund të krijojë trauma të forta psikike e psikologjike për fëmijën kur të vihet në dijeni për mënyrën e ngjizjes, si dhe për nënën që e mbart për nëntë muaj në mitrën e saj.
- Së pesti: Projektligji në fjalë prek drejtpërdrejt konceptin e familjes me prindër nënë dhe baba dhe shkon deri aty, saqë zëvendëson lidhjen bashkëshortore me termin “femra pa partner”, përkufizimi i të cilit bie ndesh me normat dhe frymën e Kodit të Familjes, me të drejtat e fëmijës për të pasur kushtet “për një zhvillim të plotë e harmonik të personalitetit”.
Sa më sipër, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, si përfaqësues i vullnetin të të gjithë besimtarëve tanë, pjesë e pesë komuniteteve fetare zyrtare dhe shoqërisë shqiptare, kërkon që projektligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues” të mos kalojë në Kuvendin e Shqipërisë dhe dëshiron, që kjo kërkesë të marrë vëmendjen e duhur nga ana juaj. Të gjithë së bashku, të punojmë për një të ardhme më të mirë e më të sigurt për brezat e rinj, me besim te Zoti e te ligji për të mirën e përbashkët.
Zëvendësministrja, znj. Rakacolli, falënderoi KNFSH-në për punën e bërë, materialin e dorëzuar dhe argumentet e sjella më parë me shkrim, si dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim.
Më pas, palët diskutuan dhe analizuan argumentet e tyre, ndërsa Këshilli Ndërfetar përfundimisht i mbetet pa ndryshime materialit të hartuar nga grupi i ekspertëve të tij dhe shpresëplotë që ministria përkatëse do të marrë parasysh kërkesat e saj, duke reflektuar mbi argumentet e paraqitura.
Në përfundim të takimit, grupi i KNFSH-së ka dhënë dhe një deklaratë për shtyp para mediave të pranishme.
Në takim merrnin pjesë:
- Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, sociolog, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë
- Dr. Surja Shehi, mjek ligjor, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë
- Znj. Paulina Hoti, juriste, Kisha Katolike në Shqipëri
- Znj. Shelda Jano Agaraj, juriste, Kryegjyshata Bektashiane, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë
- Z. Thoma Çomëni, teolog, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë
- Z. Sevin Serjani, jurist, Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë