– Apostulli – Veprat e Apostujve 10:21-33.

 

Edhe Pjetri, pasi zbriti tek njerëzit që ishin dërguar tek ai nga Korneli, tha: Ja, unë jam ai që kërkoni; për ç’punë keni ardhur? Edhe ata thanë: Korneli, kryeqindësi, që është njeri i drejtë dhe ka frikë nga Perëndia, edhe për të cilin jep dëshmi të mirë gjithë kombi i Judenjve, u urdhërua me anë të një engjëlli të shenjtë, që të të thërresë në shtëpinë e tij, edhe të dëgjojë fjalë prej teje. Ai pra i thërriti ata brenda e i gostiti.

Edhe të nesërmen doli Pjetri bashkë me ata, dhe ca nga vëllezërit që ishin nga Jopa erdhën bashkë me atë. Edhe të nesërmen hynë në Qesari.

Dhe Korneli ishte duke i pritur ata, edhe kishte mbledhur farefisin e tij dhe miqtë e ngushtë. Edhe sapo hyri brenda Pjetri, Korneli i doli përpara, e i ra ndër këmbë, edhe iu fal. Po Pjetri e ngriti, duke thënë: Ngrihu, sepse edhe unë jam njeri.

Edhe duke folur bashkë me të hyri brenda, edhe gjen mbledhur shumë veta. Edhe u tha atyre: Ju e dini se nuk është e lejueshme për një njeri Jude të shoqërojë a të shkojë tek njeri prej tjetër kombi. Po Perëndia më tregoi të mos them për asnjë njeri se është i ndyrë apo i papastër. Prandaj, sapo u thirra, edhe erdha pa bërë fjalë. Pyes pra, për ç’fjalë dërguat e më prutë?

Edhe Korneli tha: Katër ditë më parë deri në këtë orë isha duke agjëruar, edhe në të nëntën orë po lutesha në shtëpinë time; edhe ja një njeri me rroba të ndritura tek qëndroi përpara meje, edhe thotë: Kornel, u dëgjua lutja jote dhe lëmoshat e tua u përmendën para Perëndisë. Dërgo pra në Jopë e thirr Simonin, që mbiquhet Pjetër. Ky ka rënë në shtëpinë e Simon lëkurëregjësit pranë detit. Ai, kur të vijë, do të të flasë. Përnjëherë pra e dërgova tek ti; dhe ti bëre mirë që erdhe.

Tani pra ne të gjithë jemi përpara Perëndisë, që të dëgjojmë gjithë ç’të janë urdhëruar prej Perëndisë.