– Apostulli – Veprat e Apostujve 26: 1, 12-20
Edhe Agripa i tha Pavlit: Ke leje të flasësh për veten tënde. Atëherë Pavli, si shtriu dorën u mbrojt: Edhe mbi këto e sipër, kur isha duke shkuar në Damask me pushtet e me porosi nga ana e kryepriftërinjve, në mes të ditës, rrugës pashë, o mbret, se prej qielli një dritë, që e kalonte ndriçimin e diellit, ndriti rreth meje dhe atyre që udhëtonin bashkë me mua. Edhe si ramë të gjithë përdhe, dëgjova një zë që më fliste mua e që thoshte në gjuhën hebraishte: Saul, Saul, pse më përndjek? Është keq për ty t’u biesh thumbave me shkelma. Edhe unë thashë: Cili je ti, o Zot? Edhe ai tha: Unë jam Jisui, të cilin ti po përndjek. Po ngrihu dhe qëndro në këmbët e tua; sepse për këtë u shfaqa te ti, që të vë ty shërbëtor dhe dëshmitar edhe të atyre që pe edhe të atyre me të cilat do të të shfaqem ty. Duke të zgjedhur ty nga populli e nga kombet, tek të cilët tani po të dërgoj, që të hapësh sytë e tyre, që të kthehen nga errësira në dritë, dhe nga pushteti i Satanait te Perëndia, që të marrin ndjesë mëkatesh, edhe trashëgim në mes të të shenjtëruarve me anë të besimit tek unë. Prandaj, o mbret Agripa, nuk u bëra i pabindur në këtë vegim nga qielli, por u predikoja më parë atyre në Damask e në Jerusalem, edhe nëpër gjithë dheun e Judesë, edhe pastaj në kombet, të pendohen dhe të kthehen tek Perëndia, duke bërë punë të denja për pendim.