– Ungjilli – Marku 15:43-16:8.

 

Erdhi Josifi që ishte nga Arimatea, anëtar i nderuar i këshillit, që edhe ai priste mbretërinë e Perëndisë; edhe guxoi e hyri tek Pilati dhe lypi trupin e Jisuit.

Edhe Pilati u çudit, nëse tashmë kishte vdekur; edhe thirri pranë kryeqindësin, edhe e pyeti në ka kohë që ka vdekur. Edhe si mori vesh prej kryeqindësit, i fali trupin Josifit.

Edhe ky bleu pëlhurë, edhe e zbriti, edhe e mbështolli me pëlhurën, edhe e vuri në një varr, që ishte latuar prej shkëmbi; edhe rrokullisi një gur në derën e varrit. Edhe Maria Magdalena, edhe Maria e Josiut, vinin re ku po vihet.

Edhe si shkoi e shtuna, Maria Magdalena, edhe Maria e Jakovit, edhe Saloma, blenë erëra, që të vijnë e ta lyejnë. Edhe shumë herët në mëngjes, të parën ditë të javës, vijnë në varr, sapo lindi dielli. Edhe thoshin në mes tyre: Cili do të na rrokullisë gurin prej derës së varrit?

Edhe kur hodhën sytë, shohin se guri ishte rrokullisur; sepse ishte fort i madh.

Edhe si hynë në varr, panë një djalosh duke ndenjur në të djathtë, të veshur me rroba të bardha; edhe u trembën. Po ai u thotë atyre: Mos u trembni; kërkoni Jisu Nazaretasin, që u kryqëzua. U ngjall, nuk është këtu. Ja vendi ku e vunë. Po shkoni, e u thoni nxënësve të tij dhe Pjetrit se shkon më përpara se ju në Galile. Atje do ta shihni, siç ju tha juve.

Edhe ato dolën e ikën nga varri; sepse i kishte zënë tmerr e habi; edhe asnjeriu s’i thanë gjë, sepse kishin frikë.