Hierodëshmor Patriku i Prusës.
Ishte episkop i Prusës në Bitini, në kohën kur prokonsulli Jul donte që adhurimi i idhujve të mbretëronte. Gjykatësi pasi shkoi në burime ujërash të nxehta, që ndodheshin diku rreth qytetit, për t’u sakrifikuar perëndive-mjekë, Asklepios, dhe gruas së tij, Igjia (Hygeia), thirri Patrikun dhe donte t’i bënte të njohur atij virtytet shëruese të këtyre ujërave, falë përkujdesjes së këtyre perëndive. Episkopi i shenjtë iu përgjigj se Perëndia, i Cili krijoi botën, nga dashuria për njerëzit bëri ujin dhe zjarrin që asgjë të mos i mungonte. Ai ndau dritën nga errësira, zjarrin dhe ujin që janë mbi sipërfaqen e tokës nga zjarri i Gehenës dhe uji i akullt i Tartarëve që gjenden nën tokë, të përgatitur si dënim për perënditë e rreme pagane.
Pasi zuri në gojë edhe dëshminë e martirit të shenjtë Pion (11 mars), Patriku shtoi se ai vetë ishte dëshmitar i këtij zjarri që del nga toka gjatë shpërthimit të vullkanit Etna, quajtur ndryshe nga të vjetrit “Goja e ferrit”. Episkopi i Napolit, Stefani, kishte organizuar atëherë një Litani dhe lutjet e popullit kishin mundur të ndalonin llavën që kërcënonte qytetin. I irrituar nga këto fjalë, Juli urdhëroi ta hidhnin Patrikun në ujërat e nxehta, nëse do ta ruante Perëndia e tij. Por uji spërkati ushtarët, të cilët u dogjën mizorisht, ndërsa Patriku qëndronte i paprekur. Prokonsulli urdhëroi ta nxirrnin dhe t’ia prisnin kokën.
Shenjti ngriti duart drejt qiellit si një lutje e fundit, falënderoi Zotin që kishte dhënë këto ujëra shëruese për shërim të të drejtëve dhe, pasi tha “Amin”, u gjunjëzua e iu pre koka bashkë me tre rrëfyes të tjerë: Akakin, Menandrin dhe Polienin.